Lidhje

Takimi mes Presidentit Bush dhe homologut rus Putin, një provë për marrëdhëniet mes dy vendeve


Në kuadrin e turneut të tij evropian, ditën e enjte Presidenti amerikan George W. Bush do të shkojë në Sllovaki për një takim të nivelit të lartë me Presidentin rus, Vladimir Putin. Megjithëse të dy udhëheqësit krijuan miqësi para 4 vjetësh, marrëdhëniet e tyre kanë shfaqur kohët e fundit shenja dobësimi.

Pas takimit të tyre të parë në vitin 2001, Presidenti Bush ishte i bindur që mund të kishte besim tek zoti Putin.

“E pashë në sy dhe m’u duk një njeri i drejtpërdrejtë dhe tek i cili mund të kesh besim. Arrita të kuptoj sesi mendonte”.

Ajo lidhje personale i forcua, tre muaj më pas, kur presidenti rus ishte i pari udhëheqës i huaj që telefonoi zotin Bush pas sulmeve terroriste në New York dhe Washington. Rusia u bë shpejt një aleate e vlefshme në luftën kundër terrorizmit.

Andrew Kuchins, Drejtori i Qendrës për Moskën në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, beson se ky ishte kulmi i këtyre lidhjeve.

“Ishte kulmi i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, përpjekjet për të çrrënjosur Talebanët në Afganistan në vitet 2001-2002. Gjatë asaj kohe shkëmbimi i përvojës u rrit shumë. Por që atëherë bashkëpunimi është dobësuar disi”.

Në kontrast të dallueshëm me atë bashkëpunim të hershëm, që atëherë ka patur një numër mosmarrëveshjes të mprehta, nga të cilat bie më shumë në sy ajo për radhitjen e Rusisë krahas Francës dhe Gjermanisë kundër ndërhyrjes në Irak. Moska dhe Washingtoni këmbyen gjithashtu akuza për ndërhyrje në zgjedhjet e Ukrainës.

“Mendoj se romanca ka marrë fund”.

John Hulsman studion çështjet evropiane në Fondacionin Heritage në Washington. Ai thotë se hapat autoritare të ndërmarra nga zoti Putin, përfshirë shtypjen e medias së pavarur, marrjen nën kontroll të kompanisë Yukos së naftës dhe konsolidimin e pushtetit politik, e bëjnë thuajse të pamundur që Rusia të bëhet aleate e afërt dhe e përhershme e Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë zoti Bush do të donte që marrëdhëniet dypalëshe të forcoheshin.

“Është e rëndësishme për Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara që të kenë një lloj marrëdhënieje ku nëse ne nuk jemi dakord me vendimet, të paktën të shprehim kundërshtimin në një mënyrë miqësore dhe pozitive”.

Por realizimi i këtij synimi mund të jetë një sfidë. Në fillim të këtij muaji, Sekretarja e Shtetit Condoleeza Rice pati me homologun e saj rus një takim që u përshkrua nga disa të pranishëm si i tendosur. Sipas njoftimeve, zonja Rice i tha Ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov se masat që merr Moska kundër atyre që janë kundër politikës së saj, po i vështirësonin marrëdhëniet Ruso-Amerikane.

Sipas Andrew Kuchinsit, pakënaqësia e delegacionit amerikan u rrit edhe më shumë nga programi i zotit Lavrov që përqendrohej në një listë ankesash dhe shqetësimesh.

“Një gjë e tillë ngjalli veçanërisht pakënaqësi, sepse mendoj se për administratën e Presidentit Bush dhe për vetë atë në veçanti, takimi i Bratislavës është tepër i rëndësishëm dhe do të përcaktojë klimën e marrëdhënieve amerikano-ruse gjatë katër viteve të ardhshme”.

Për secilin nga udhëheqësit dështimi i këtyre marrëdhënieve do të kishte pasoja. Disa ekspertë të politikës së jashtme i kanë thënë Zërit të Amerikës se pritet që në takimin e nivelit të lartë të ketë një numër zhvillimesh pozitive, përfshirë më shumë bashkëpunim për të kundërshtuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe mbështetjen për anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregëtisë. Megjithatë, John Hulsman nuk pret që partneriteti t’i kthehet miqësisë së fillimit.

“Do të thotë që do të kemi një marrëdhënie të vështirë. Ia vlen që t’i bëjmë të gjitha përpjekjet për afrim, por nga ana tjetër duhet t’i shohim gjërat ashtu siç janë”.

Pra një marrëdhënie ku kryesore është nevoja, dhe jo përkushtimi personal.


XS
SM
MD
LG