Lidhje

Irak: Të paktën 23 irakianë të vrarë dhe dhjetra të plagosur nga një sërë sulmesh


Të paktën 23 irakianë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sërë sulmesh, ndërkohë që besimtarët shiitë kremtojnë ditën e Ashures, dita më e shenjtë e kalendarit të tyre fetar.

Incidenti më i rëndë ndodhi në Bagdat, ku një person hipi në një autobus dhe kreu sulm vetvrasës duke shkaktuar vdekjen e të paktën 19 personave dhe plagosjen e 40 të tjerëve.

Në një tjetër sulm, një person iu afrua me biçikletë një grupi njerëzish që po merrnin pjesë në një funeral dhe kreu një shpërthim vetvrasës që la të vrarë katër persona dhe plagosi 38 të tjerë.

Ushtria amerikane thotë se një ushtar amerikan u vra ndërkaq në një nga shpërthimet në Bagdat, por nuk bëri të ditur të dhëna specifike.

Në qytetin verior Bakuba, autori i një sulmi vetvrasës shkaktoi vdekjen e dy personave pranë një baze të Gardës Kombëtare Irakiane.

Dhuna e sotme ka zgjuar shqetësimet se mund të ketë një përsëritje të gjakderdhjes së vitit të kaluar gjatë kremtimit të Ashures, kur u vranë më shumë se 170 persona në sulme në Bagdat dhe në qytetin e shenjtë shiit Kerbala.

XS
SM
MD
LG