Lidhje

Një delegacion i Kongresit amerikan viziton Irakun


Një delegacion i Kongresin amerikan ndodhet në Irak për të zhvilluar takime me udhëheqësit e qeverisë së përkohëshme të vendit dhe komandantët e ushtrisë amerikane. Në klimën e dhunës së vazhdueshme, senatorët thonë se Iraku ende ka nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit dhe u angazhuan që kjo mbështetje të vazhdojë deri në fund. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Serena Parker përgatiti këtë material nga Washingtoni:

Dita e parë e delegacionit prej 5 anëtarësh, u shoqërua nga një sërë sulmesh dhe shpërthimesh, që u ndërmorrën ndërsa myslimanët shiitë festonin ditën e Ashures, dita më e shenjtë e kalendarit fetar shiit.

Pavarësisht nga dhuna vdekjeprurëse, Senatorja Hillary Clinton, demokrate nga New Yorku shprehu një optimizëm të përmbajtur për të ardhmen e Irakut.

“Them optimizëm i përmbajtur sepse sfidat janë aq të shumta, sepse ka fqinjë të Irakut që nuk janë edhe aq entuziastë për suksesin e popullit të Irakut në krijimin e një demokracie të qëndrueshme shumëetnike dhe me tolerancë fetare. Megjithatë jam optimiste sepse rezultatet e zgjedhjeve janë një goditje e fortë për ata që nuk besonin se populli irakian do të përfitonte nga ky shans për të shfaqur përkushtimin për të ardhmen e vet”.

Delegacioni pati sot takime me kryeministrin e përkohshëm irakian dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Ata u takuan gjithashtu me gjeneral leitnantin amerikan David Petraeus, që kryeson përpjekjet për të krijuar një forcë të pavarur sigurie në Irak.

Senatori Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut tha se trupat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak, derisa misioni të çohet deri në fund.

“As më shumë, as më pak. Dhe çdo të thotë që misioni të çohet deri në fund? Që ky vend të jetë në gjendje të ruajë lirinë e tij. Kjo nuk do të thotë njerëz me armë në dorë, por institucione që të funksionojnë”.

Për shkak të gjendjes së sigurisë, delegacioni nuk doli nga Zona e Gjelbër që ruhet nën masa të rrepta sigurie, ku ndodhen institucionet qeveritare dhe ambasadat amerikane dhe britanike.

Susan Collins, republikane nga Maine tha se megjithëse Bagdadi rrethohej nga masa më të rrepta sigurie sesa në verë të vitit 2003 kur ajo kishte qenë për herë të fundit për vizitë, ajo besonte se zgjedhjet e fundit ishin një hap i rëndësishëm.

“Megjithëse është për të ardhur keq të shohësh që dhuna e vazhdueshme që pas vizitës sime të fundit e ka bërë më të vështirë lëvizjen në Irak, unë nuk kam aspak dyshim se e ardhmja afatgjatë e popullit irakian është shumë më e shkëlqyer dhe se kalimi i pushtetit në duart e popullit irakian ka filluar dhe po vazhdon”.

Nesër delegacioni shkon në baza të tjera amerikane në Irak për t’u takuar me ushtarë dhe marinsa amerikanë.

XS
SM
MD
LG