Lidhje

Birmani: Junta ushtarake arreston udhëheqës pro demokracisë


Junta ushtarake birmaneze arrestoi disa udhëheqës pro demokracisë, përfshirë kryetarin e Lidhjes Nacionalitet Shan për Demokraci, Khun Htun Oo. Autoritetet i mohuan lejen edhe koalicionit më të madh të partive politike etnike të Birmanisë pro demokracisë, Aleanca e Nacionaliteteve të Bashkuara, për të përkujuar Ditën e Bashkimit më 12 shkurt.

“Këto veprime, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Riçard Bauçer, pasqyrojnë edhe më mirë qendrimin e juntës kundër pajtimit të vërtetë kombëtar, si edhe mospërfilljen e saj për mirëqenien e popullit birmanez dhe pikëpamjet e komunitetit ndërkombëtar.”

Nga fillimi i këtij muaji, udhëheqësit birmanezë zgjatën me një vit edhe arrestimin shtëpiak të nënkryetarit të Lidhjes Kombëtare për Demokraci, U Tin Oo. Kjo masë u mor pas vendimit të juntës në nëtor të vitit të kaluar për të zgjatur edhe me një vit tjetër mbajtjen nën arrest shtëpiak të udhëheqëse së Lidhjes Kombëtare për Demokraci, Aung San Su Ki.

Junta ushtarake birmaneze po mban një kuvend kombëtar për hartimin e një kushtetute. Por, Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore e kanë hedhur poshtë këtë proces, duke e cilësuar si lojë mashtrimi të sunduesve ushtarak të Birmanisë, të cilët nuk pranuan të njihnin fitoren e Lidhjes Kombëtare për Demokraci të zonjës San Su Ki në zgjedhjet e vitit 1990.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë vazhdimisht thirrje juntës ushtarake të Birmanisë të respektojë të drejtat themelore të popullit birmanez dhe të lejojë proceset demokratike. Shtetet e Bashkuara, thotë Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, nuk mund të pushojnë derisa të gjithë ata që jetojnë në një shoqëri ku mbretëron frika, të fitojnë lirinë e tyre”: “Amerika qendron përkrah popujve të shtypur në të gjitha kontinentet, në Kubë e Birmani, në Korenë e Veriut, Iran, Bjellorusi në Zimbave. Bota duhet të bëjnë atë që Natan Sharanski e quan prova e sheshit të qytetit: nëse një person nuk mund të shkojë në mes të sheshit qendror të qytetit dhe të shprehë pikëpamjet e tij pa frikën e arrestimit, burgosjes apo të dëmtimit trupor, atëherë ai person jeton në një shoqëri ku mbretëron frika.”

Populli birman meriton të jetë i lirë nga tirania. Është koha që junta ushtarake të lirojë menjëherë dhe pakushte udhëheqësen e opozitës, Aung San Su Ki, dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë. Lidhja Kombëtare për Demokraci duhet të lejohet të hapë përsëri zyrat e saj në gjithë vendin dhe të punojë për pajtimin kombëtar dhe vendosjen e demokracisë në Birmani.

XS
SM
MD
LG