Lidhje

Bashkimi i gjigandëve të telefonisë


Biznesi i telefonisë për lidhjet në distanca të gjata ose me jashtë po ndryshon dhe konsumatorët janë ata që preken më shumë. Kompania më e madhe e telefonisë amerikane, Verizon njoftoi se do të blejë firmën MCI për më shumë se 6 miliardë dollarë. Marrëveshja pritet të rezultojë në shkurtimin e 7 mijë vendeve të punës.

Lajmi për blerjen e kompanisë MCI nga operatori më i madh i telefonisë lokale amerikane, Verizon është i fundit në serinë e një vale bashkimesh të këtij lloji dhe konsumatorët janë të shqetësuar. "Tani ata do të kenë mudësi më shumë të rrisin çmimet", thonë konsumatorët.

Dhe kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë. Industria e telekomit dikur shumë konkurruese tani ka më pak lojtarë. Dy javë më parë, kompania SBC njoftoi planet për të blerë ish kompaninë mëmë, AT&T. Sipas ekspertëve, qeveria lejoi liberalizimin e tregut shumë shpejt dhe në përmasa të mëdha. Si rezultat monopolet e vjetra po gllabërojnë ish konkurentët e tyre dhe konsumatorët janë ata që humbasin.

20 vjet më parë qeveria amerikane reformoi shërbimin e telefonisë duke e ndarë kompaninë AT&T në 7 të tilla me idenë për të rritur konkurencën. Me konsolidimin e fundit, në treg mbeten vetëm 4 nga këto kompani dhe analistët presin që industria të tkurret edhe më tej. "Këto kompani do të jenë aq në konkurencë saqë nuk do të mbijetojnë vetëm duke gllabëruar kompani të vogla, por do të përplasen me njëra-tjetrën", thotë Anthony Ferrugia, analist i telekomunikacioneve.

Verizon argumenton se bashkimi i ri nuk sinjalizon një epokë të re të monopoleve pasi teknologjia lejon tani kompanitë kabllore dhe të internetit të ofrojnë shërbime që më parë bëheshin vetëm nga kompanitë e telefonave.

Përveç 14 milion konsumatorëve për lidhjet me jashtë të MCI-it, Verizon do të sigurojë një nga rrjetet më të mëdha të telekomit në botë. Dhe në fund të fundit marrëveshja i siguron kompanisë Verizon më shumë konsumatorë përfshi agjenci si bursa e Nasdakut, apo Pentagonin dhe Departamentin e Sigurimit Kombëtar. Kurse për konsumatorët dhe kuletat e tyre ndikimi është ende i paqartë.

XS
SM
MD
LG