Lidhje

Spanjë: Referendum për kushtetutën evropiane


Në Spanjë sot zhvillohet referendumi i parë lidhur me kushtetutën e Bashkimit Evropian. Pritet që spanjollët ta miratojnë Kushtetutën, por analistët thonë se nuk dihet si do të jetë pjesëmarrja në referendum e popullsisë 35 milionëshe të Spanjës, që nuk është i detyruar.

Kryeministri spanjoll Jose Rodriguez Zapatero u bëri thirrrje votuesve të marrin pjesë në referendum, për atë që ai e cilësoi një vendim me rëndësi të madhe drejt një Evrope të Bashkuar. Deri në mesin e orarit të qëndrimit hapur të qendrave të votimeve, zyrtarët e zgjedhjeve thanë se pjesëmarrja në votime ishte më pak se 22 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian të vitit të kaluar pjesëmarrja në zgjedhje e spanjollëve ishte 45 për qind. Anketimet para refererndumit tregojnë se vetëm një numër i vogël votuesish i kuptojnë hollësitë e kushtetutës së Bashkimti Evropian.

Nëntë vende evropiane, mes tyre Franca, një nga themelueset e Bashkimit Evropian, kanë në plan të zhvillojnë votime, ashtu sikurse Spanja, por Gjermania dhe vende të tjera, kanë zgjedhur mënyrën e dërgimit të tekstit për miratim në Parlamentet e tyre, në vend që ta miratojnë atë nëpërmjet të një referendumi.

XS
SM
MD
LG