Lidhje

James Dobbins: Zgjidhja e statusit të Kosovës, urgjente

  • Mirela Bruk

Një ekspert dhe ish zyrtar i administratës amerikane thotë se ka ardhur koha që Kosova të vihet në krye të listës së shqetësimeve dhe që vemendja të drejtohet tek zgjidhja e statusit të saj përfundimtar. Komentet i bëri për Zërin e Amerikës James Dobbins, Drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare për Politikat e Sigurimit dhe të Mbrojtjes në Korporatën Rand. Ai ka qenë i dërguar i posaçëm i administratës amerikane për Kosovën, Bosnjën, Haitin, Somalinë dhe Afganistanin.

42 Mendoj se aktualisht, gjendja në Kosovë është më e paqendrueshmja në Ballkan. Kjo, në një farë kuptimi është një lajm i mirë sepse nënkupton që disa nga vendet e tjerë që ishin më të paqendrueshëm 5 vjet më parë janë bërë më pak të tilla. Për shembull, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja, janë më të qendrueshme sot se sa ishin para 5 vjetësh. Ne e shtymë vendimin për statusin përfundimtar të Kosovës 5 vjet më parë sepse ishim të shqetësuar për efektet që mund të kishte pavarësia e Kosovës mbi këto vende të tjera. Por sot, ka ardhur koha që Kosova të vihet në krye të listës së shqetësimeve tona dhe që vemendja të drejtohet tek zgjidhja e statusit të saj përfundimtar. Mendoj se ky status përfundimtar do të jetë dhe duhet të jetë pavarësi brenda kufijve të saj të tanishëm, por një pavarësi në të cilën pakicat, duke përfshirë pakicën serbe, të kenë garanci dhe siguri. Për këtë ndoshta do të duhet vazhdimi i rolit ndërkombëtar.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të tregohen aktive në Ballkan megjithëse Lindja e Mesme është në krye të përparësive të tyre, ish zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, James Dobbis, tha: "Natyrisht, është diçka e mirë që Ballkani nuk është burim konflikti tani për tani. Është diçka e mirë që Ballkani nuk dominon më titujt e lajmeve. Por mendoj megjithatë se sidomos Kosova kërkon vazhdimin e vemendjes amerikane. Ky nuk është një problem që mund t’i lihet vetëm Evropës, por kërkon bashkëpunimin amerikano-evropian. Megjithatë, në pjesën më të madhe, Ballkani është bërë një rajon më i qetë dhe më normal që kërkon më pak vemendje nga Shtetet e Bashkuara dhe kjo është diçka e mirë".

XS
SM
MD
LG