Lidhje

Brukseli kërkon respektimin e pakicave në Kosovë


Bashkimi Evropian bëri të qartë sot në një takim të ministrave të tij të jashtëm në Bruksel, se standartet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën do të thonë respektim të pakicave dhe ndërtim i një Kosove shumëetnike. Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara Jessen-Petersen, i cili merrte pjesë në këtë takim, ka kërkuar një angazhim më të madh të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian theksuan sot në një takim të mbajtur nëBruksel, se Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen që ishte para vitit 1999. Kryesuesi i radhës i Bashkimit Evropian, ministri i jashtëm i Luksmeburguit, Jean Alsenborn, ka theksuar rëndësinë e plotësimit të standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare ndërsa komisioneri i lartë evropian Havier Solana ka nënvizuar se standartet nënkuptojnë respektimin e pakicave dhe Kosovën shumëtnike, si elemente vendimtare për të filluar bisedimet për statusin përfundimtar.

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Sorren Jessen Petersen, i cili merrte pjesë në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, ka thënë se serbët e Kosovës do të përfshihen në dialog vetëm nëse marrin sinjale pozitive nga Beogradi. Megjithatë zoti Petersen ka nënvizuar se nëse nuk ka përparim në plotësimin e standarteve për shkak të mos-angazhimit të serbëve në process, kjo nuk duhet të përdoret kundër shqiptarëve. Ai ka kërkuar gjithashtu një qëndrim të qartë të BE-së kundër ndarjes së Kosovës dhe një angazhim më të madh të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në një zhvillim tjetër, po sot, qeveria e Kosovës shprehu sonte angazhimin e saj për respektimin e gjuhëve amtare në Kosovë, duke theksuar se kjo ka peshë të madhe, duke pasur parasysh rrethanat e këtushme si pasojë e konfliktit. Kryeministri Ramush Haradinaj, tha në një deklaratë për median në ditën ndërkombëtare të gjuhëve amtare se qeveria e Kosovës po punon intenzivisht në përmbushjen e standardeve, në të cilat liria e të shprehurit në gjuhën amëtare është vënë në dukje në mënyrë të veçantë. "Gjuhët duhet të fliten lirshëm kudo dhe kurdo në Kosovë dhe kjo nënkupton respektimin e të drejtave të njeriut", tha kryeministri duker shtuar se gjuhët janë faktorët themelorë ndaj të cilave duhet të ketë vemendje të posaçme, për të përballuar më parë sfidat.

Zoti Haradinaj tha gjithashtu se globalizimi si një trend i pashmangshëm herë-herë mund t'i kërcënojë gjuhët e vogla në botë dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me gjuhët amëtare që fliten në Kosovë. Ai theksoi se qeveria e tij do të punojë që kjo të mos ndodhë në Kosovë. Qeveria e Kosovës i bëri thirrje popullit të Kosovës për tolerancë gjuhësore, si një detyrë, përmbushja e të cilës do të lerë gjurmë në brezat e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG