Lidhje

Marrëdhëniet transatlantike dhe Ballkani


Një grup prej 50 ekpertësh të politikave të jashtme dhe ish zyrtarë qeverish nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë hartuar të ashtuquajturën marrëveshje partneriteti, një hap që ka si synim riparimin e marrëdhënieve transatlantike të dëmtuara nga lufta në Irak. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mirela Bruk intervistoi zotin Philip Gordon, drejtor i qëndrës për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën pranë institutit Brookings në Washington. Doktor Gordon është ekspert i njohur i marrëdhënieve transatlantike dhe autor i një numri librash. Libri i tij i fundit titullohet Aleatët në Luftë: Amerika, Evropa dhe kriza rreth Irakut.

Ekspertët diskutuan këto ditë në Uashington rreth së ashtuquajturës marrëveshje partneritetit të hartuar prej tyre, marrëveshje ku Ballkani nuk përmendet. I pyetur nëse Ballkani ka të ngjarë të diskutohet gjatë vizitës së Presidentit Bush në Evropë, eksperti Philip Gordon tha: "Për 10 vjet Ballkani në një farë mënyre ka qënë në qendër të marrëdhënieve transatlantike. Ne të gjithë e dimë se kjo është një çështje e rëndësishme, pasi kemi trupa atje, kemi angazhim politik dhe para të investuara. Tani Ballkani është hequr nga axhenda e bisedimeve. Sot, sa herë që bëhen takime transatlantike, në vend që Ballkani të jetë në krye të listës siç ka qënë, është në fakt në fund të saj për shkak të rëndësisë së çështjeve të tjera si Irani, Kina dhe Iraku. Kjo është e kuptueshme. Mendoj se edhe njerëzit në Ballkan e kuptojnë këtë. Por qeveritë janë institucione të mëdha dhe në to punojnë shumë njerëz. Edhe nëse presidenti nuk merret me këto çështje ka zyrtarë të tjerë të lartë që i shqyrtojnë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara u kushtojnë vemendje dhe bisedojnë me evropianët për Ballkanin".

Por çfarë roli duhet të luajnë evropianët në zgjidhjen e çështjeve të Ballkanit? Zoti Gordon thotë: " Do të ishte mirë të besonim se Amerika do të merrte rolin kryesor. Për tani për tani Amerika po merret me çështje globale, strategjike dhe themelore dhe kjo do të ishte jorealiste të mendohej. Evropa nga ana tjetër është shumë pranë, është aty. Evropa ka marr rol drejtues në rajon dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian është proces i rëndësishëm dhe tu them të vërtetën nuk do të kisha shumë shpresa për rolin drejtues të Amerikës".

Zoti Gordon mendon se gjendja në Kosovë mund të shkaktojë paqendrueshmëri në rajon prandaj kërkon vemendje: "Patjetër që mund të shkaktojë destabilizim. Problemi nuk është zgjidhur dhe ka mbetur pezull. Kosova nuk është një burim aktiv paqendrueshmërie por problemi nuk është zgjidhur. Ka mundësi që situata të destabilizohet prandaj duhet ti kushtojmë vëmendje."

Por çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit në rajon për të rritur shanset e anëtarësimit në BE? Zoti Gordon thotë: "Këto vende duhet të tregojnë se kanë lënë mënjanë ndarjet etnike që gjithmonë kanë qënë burimi i problemeve. Deri sa të ndodhë kjo, ato nuk kanë për të hyrë në Bashkimin Evropian, është shumë e thjeshtë. Derisa të tregojnë qartë se i kanë kapërcyer ndarjet, ashtu siç bëri Evropa Perendimore, ku ka patur ndarje etnike dhe luftëra dhe tani i përkasin të kaluarës. Evropianët nuk shqëtësohen më për gjuhën, etnicitetin dhe kombësinë, pasi janë bërë qytetarë të Evropës. U takon vendeve të Ballkanit të arrijnë këtë fazë ku të zëvendësojnë dallimet etnike që mund të kenë me fqinjët me të përbashkëtat e të qënurit evropian. Kjo nuk do të ndodh që nesër por nuk duhet të jetë e paimagjinueshme. Ballkani mbete ende çështje e sigurimit kombëtar për Shtetet e Bashkuara. Në se Ballkani është i paqëndrueshëm kjo nuk është fatkeqësi vetëm në nivel humanitar por mund të shkaktoj probleme edhe përtej kufijëve... Nuk është në krye të listës si Lindja e Mesme, por sigurisht që është i rëndësishëm".

XS
SM
MD
LG