Lidhje

Presidenti Bush thotë se do të dëgjojë shqetësimet e Natos


Presidenti Bush tha se angazhimi i Amerikës ndaj Natos është i fortë dhe u zotua se do t’i dëgjojë shqetësimet e anëtarëve të kësaj aleance. Korrespondentja jonë Paula Wolfson njofton nga Brukseli ku presidenti Bush mori pjesë në një takim të nivelit të lartë të Natos që synonte zbutjen e tensioneve të krijuara nga lufta në Irak.

Komentatorët evropianë e cilësojnë turneun e presidentit Bush në Evropë si një ofensivë të këndëshme. Presidenti Bush e quan atë ndryshe. "Ju mund ta quani këtë një turne dëgjimi", tha ai.

Këto ishin fjalë që kritikët e politikës së tij për Irakun kishin pritur të dëgjonin prej kohësh. Në një konferencë shtypi në selinë e Natos, presidenti Bush tha se është i bindur se ai veproi drejt duke ndërhyrë në Irak, por shtoi se e kupton përse disa evropianë nuk janë dakord me këtë. "Çështja kryesore që acaron shumë evropianë ishte Iraku. Unë e kuptoj këtë dhe tani është e rëndësishme që t’i lëmë pas këto mosmarrëveshje".

Presidneti Bush foli rreth lidhjeve historike midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe tha se është mëse me vend që ndalesa e tij e parë kryesore gjatë turneut në Evropë të ishte selia e Natos, të cilën ai e quajti aleancën më të suksesëshme në historinë botërore. "Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë me rëndësi jetike, të nevojëshme dhe të rëndësishme dhe lidhja jonë me Naton përbën gurthemelin e këtyre marrëdhënieve". Presidenti Bush tha se Natoja duhet të përparojë për t’u përballur me sfidat e reja dhe për t’i shërbyer më mirë antarëve të saj.

Presidenti e mirëpriti vendimin që të 26 vendet anëtare të aleancës do të ndihmojnë në një mënyrë apo një tjetër për stërvitjen e forcave irakiane të sigurimit. "Çdo ndihmesë mund të quhet e vogël, por jo simbolike", tha presidenti. "Çdo ndihmesë është e rëndësishme".

Të 26 vendet anëtare thanë se është e rëndësishme për Naton që të angazhohet në Irak. Kjo është një deklaratë e fuqishme. Presidenti Bush i cilësoi diskutimet e tij me udhëheqësit e Natos si një dialog të dobishëm.

Sekretari i përgjithshëm i Natos, Jaap De Hoop Schefer, i cili qendronte në krah të Presidentit Bush, tha se ai do t’i shqyrtojë propozimet për një përdorim më të madh të aleancës si një forum për trajtimin e çështjeve politike, si dhe ushtarake. "Në se Natoja dëshiron të vazhdojë të ruajë përkrahjen publike parlamentare për operacionet dhe misionet e saj, ne me të vërtetë duhet të diskutojmë rreth çështjeve kryesore politike që shoqërojnë këto operacione dhe misione", tha zoti Scheffer.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos tha se tani që aleanca po luan një rol më të madh në vendet jo anëtare, si Afganistani, këto diskutime politike do të bëhen edhe më të nevojëshme.

XS
SM
MD
LG