Lidhje

Prokuroria e Përgjithshme kërkon përsëri heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi


Për herë të dytë parlamenti shqiptar duhet të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi dhe për të dytën herë shkak bëhet përplasja e tij me kryeministrin Fatos Nano. Nëse kërkesa e parë kishte të bënte me bashkëshorten e kryeministrit, tani motivi që e vë deputetin Lesi të përballet me një kërkesë për heqjen e imunitetit janë deklarimet e tij në muajin nëntor në një seancë parlamentare gjatë së cilës ai lexoi një dokument që implikonte direkt kryeministrin Nano dhe ish deputetin Fehmi Abdiu në një përpjekje për të favorizuar trafikun e armëve gjatë vitit 1997.

Zoti Lesi kishte deklaruar se dokumenti që ai zotëronte i referohej transkriptimit të një bisede të përgjuar. Realizimi i saj siç u mor vesh më vonë ishte marrë përsipër nga Sokol Koçiu, një ish-zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme deri para se të arrestohej dhe më pas të dënohej nga gjykata për trafik ndërkombëtar të drogës.

Sipas një njoftimi për shtyp të prokurorisë së përgjithshme është provuar se deklarimet e zotit Lesi në parlament nuk janë të vërteta, se nuk ka asnjë fakt që të provojë se është zhvilluar biseda mes zotit Nano dhe Abdiu. Zoti Lesi thuhet në njoftim disponon vetëm një dokument të përbërë nga 5 fletë të faksuara dhe të manipuluara. Dhe se prej tij nuk është dorëzuar as
kaseta ku të jetë incizuar biseda e pretenduar dhe as procesverbali origjinal i transkriptimit të kësaj bisede.

Kishte qenë në të vërtetë zoti Lesi i cili kishte deklaruar që në fillim se ishte në zotërim edhe të regjistrimit të dialogut mes kryeministrit Nano dhe ish-deputetit Abdiu, por as ai vetë deri më tani nuk e ka demonstruar atë. Megjithatë deputeti Lesi sot paralajmëroi se në lidhje me këtë çështje do të ketë zhvillime interesante.

Ai e quajti kërkesën e prokurorisë një veprim të nxituar për të plotësuar dëshirën për hakmarrje të kryeministrit Fatos Nano. Ai sulmoi prokurorin e përgjithshëm se po keqpërdoret nga kreu i qeverisë, ndërkohë që ka vite që siç u shpreh deputeti Lesi, prokurori i përgjithshëm fle mbi dosje krimesh dhe korrupsioni. Sipas zotit Lesi edhe kërkesa drejtuar parlamentit ka në përmbajtjen e saj mjaft mospërputhje juridike.


XS
SM
MD
LG