Lidhje

Shtetet e Bashkuara, Gjermania thonë se po i lënë mënjanë mosmarrëveshjet


Presidenti Bush dhe kancelari gjerman Gerhard Shrëder thanë se po i lënë mënjanë mosmarrëveshjet mes tyre dhe do të përqëndrohen në fushat ku ata janë të një mendimi. Siç njofton nga Mainci i Gjermanisë korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, një prej çështjeve rreth së cilës dy udhëheqësit janë plotësisht të një mendimi është Irani.

Në përfundim të bisedimeve të tyre zyrtare në Mainz të Gjermanisë, presidenti Bush dhe kancelari Shrëder i bënë një paralajmërim të përbashkët Teheranit. Ata thanë se nuk duhet të ketë kurrë një Iran me armë bërthamore. Gjatë një konferencë të përbashkët shtypi, presidenti Bush foli fare hapur.

“Është shumë e rëndësishme që iranianët të dëgjojnë gjithë botën të flasë me një zë se ata nuk duhet të kenë armë bërthamore.”

Pastaj presidenti u përpoq të sqaronte një deklaratë që bëri dje në Bruksel kur tha se ndërkohë që Shtetet e Bashkuara nuk kanë plane të ndërhyjnë në Iran, të gjitha alternativat janë të hapura. Këtë herë, ai e vuri theksin tek përpjekjet diplomatike të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë.

“Irani nuk është Iraku. Ne sapo kemi filluar përpjekjet diplomatike dhe dua të falenderoj miqtë tanë për rolin e tyre. Ne do të punojmë së bashku për t’i bindur autoritetet iraniane se duhet të heqin dorë nga ambicjet e tyre bërthamore.”

Dy udhëheqësit u shprehën gjithashtu qartë rreth mbështetjes për demokracinë në Irak, megjithë mosmarrëveshjet lidhur me luftën. Kancelari Shrëder, njëri prej kritikëve më të ashpër të ndërhyrjes amerikane në Irak në mars të vitit 2003, tha se ka ardhur koha që përpjekjet të përqëndrohen tek e ardhmja.

“Ne jemi të interesuar të shikojmë një Irak demokratik dhe të qëndrueshëm,” tha ai përmes përkthyesit.

Kjo është vizita e parë e presidentit Bush në Gjermani që prej fillimit të luftës në Irak. Anketat e opinionit tregojnë se publiku gjerman ende i kundërshton politikat e tij, ndërkohë që vazhdojnë pakënaqësitë.

Kur presidenti mbrriti në këtë qytet të Gjermanisë perëndimore, ai e gjeti atë të mbuluar nga një shtresë e hollë dëbore dhe dhe nga forcat e shumta të sigurimit.

Rrugët ishin thuajse bosh, ndërsa shikoje pak njerëz përveç policisë. Autostradat aty pranë ishin mbyllur dhe trafiku në lumin e Rinit që kalon nëpër qytet ishte ndërprerë.

Protestuesit nuk u lejuan të mblidheshin në qendër të qytetit dhe afër vargut të makinave që shoqëronin presidentin Bush. Megjithatë ata u mblodhën në pjesë të tjera të qytetit.

Presidenti Bush nuk i dëgjoi fare protestuesit, por ai dëgjoi brohoritjet e trupave amerikane të dislokaura në bazën e ushtrisë amerikane në Viezbaden aty pranë. Shumë prej tyre kanë shërbyer në Irak dhe do të kthehen atje.

“Suksesi juaj po dërgon një mesazh të qartë në gjithë Lindjen e Mesme se e vetmja forcë mjaft e fuqishme për të ndaluar tiraninë dhe terrorin e për ta zëvëndësuar atë me shpresën është forca e lirisë njerzore,” tha presidenti.

Ky nuk ishte kontakti i parë i presidentit për sot me ushtarët amerikanë.

20 të ftuar ishin të pranishëm në një ceremoni pritjeje zyrtare në një kështjellë të shekullit të 18-të në Mainz: 10 amerikanë dhe 10 gjermanë të dislokuar në Afganistan. Ushtarët, të cilin kishin vënë kapele gati identike, ishin një simbol i qartë i një aspekti në të cilin Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë së bashku.


XS
SM
MD
LG