Lidhje

Bruton: Forcimi i Bashkimit Evropian nuk përbën kërcënim për Shtetet e Bashkuara


Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Shtetet e Bashkuara thotë se organizata evropiane, me zgjerimin dhe forcimin e saj nuk përbën asnjë kërcënim për Amerikën. Ambasadori John Bruton, ish-kryeministër i Irlandës, thotë se të dyja anët e Atlantikut duhet të gjejnë vlerat e përbashkëta për të rigjallëruar marrëdhëniet e tyre, tani që nuk ekziston më rreziku i Luftës së Ftohtë. Zoti Bruton i dha një intervistë koleges Jela de Franceschi:

Ambasadori Bruton nuk e pranon se Bashkimi Evropian po kthehet në një superfuqi dhe në konkurrente të Shteteve të Bashkuara.

“Nuk e besoj fare një gjë të tillë. Bashkimi Evropian është një bashkim i realizuar me vullnet të lirë, nuk është një shtet i vetëm. Secili nga vendet ka të drejtën të tërhiqet kur të dojë. Buxheti evropian është shumë i vogël; Bashkimi Evropian nuk ka një forcë ushtarake të vetën. Kështuqë nuk është si Shtetet e Bashkuara. Megjithatë është një organizatë që bashkëpunon për përhapjen e begatisë dhe demokracisë në Evropë. Jo vetëm që nuk është një kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara, përkundrazi plotëson atë që bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe është diçka që në origjinën e saj është frymëzuar nga Amerika”.

Ish-kryemininistri irlandez, që e mori detyrën në fund të vitit të kaluar, duke folur për Lindjen e Mesme tha se është një moment shansesh të mëdha në atë rajon.

“Fakti që ka patur zgjedhje demokratike në Palestinë dhe Irak, është një sinjal për të gjithë popujt e Lindjes së Mesme se mund ta marrin të ardhmen në duart e tyre dhe se evropianët dhe amerikanët nuk duan të ndërhyjnë, por të ndihmojnë. Nëse Presidenti amerikan dhe udhëheqësit evropianë të mund ta përforcojnë këtë atmosferë, do të ishte një ndihmë e madhe”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kundërshtimin e disa vendeve evopiane ndaj Shteteve të Bashkuara për luftën e Irakut, shprehu mendimin se tani duhen gjetur rrugë të tjera për bashkëpunimin mes të dyja palëve.

“Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë evropianët dhe amerikanët përballeshin me të njëjtin rrezik: Bashkimin Sovjetik dhe na duhej të qëndronim në krah të njëri-tjetrit. Ai kërcënim sot nuk ekziston më, kështuqë ne na duhet të gjejmë një bazë të re për marrëdhëniet tona. Këtë radhë jo për shkak të një baze negative, por pozitive, të vlerave të përbashkëta. Ne ndajmë të njëjtat vlera të demokracisë, tregjeve të hapura dhe lirisë në të dyja anët e Atlantikut. Ne duhet t’i përforcojmë këto vlera të përbashkëta”.

Ambasadori Bruton thotë se si evropianët, ashtu edhe amerikanët e vlerësojnë angazhimin shumëpalësh, si mjet për arritjen e synimeve, si përhapja e lirisë, dremokracisë dhe begatisë në botë. Ai pranon se të dyja palët kanë pikëpamje krejtësisht të njëjta për ovbjektivatr dhe në favor të shumëanshmërisë. Por zoti Bruton shton se mënyra sesi shprehet kjo shumëanshmëri, ka ndryshime mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

“Ne besojmë se duhet të ketë një sistem të vetëm për gjykimin e kriminelëve të luftës, ndërsa Shtetet e Bashkuara parapëlqejnë një sistem ad hoc. Ne besojmë se e gjithë bota duhet të bashkohet si një e tërë për problemin e ngrohjes globale përmes Protokollit të Kiotos, ndërsa Shtetet e Bashkuara e vënë më shumë theksin në zhvillimin e teknologjisë dhe në zgjidhjet individuale për çdo vend. Por këto janë pikëpamje të ndryshme për mënyrat, jo për qëllimet”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian e pranon që anëtarësimi apo synimi për anëtarësim në këtë organizatë evropiane i ka bërë vendet që dikur kanë patur mosmarrëveshje historike, të bashkëpunojnë dhe të miqësohen.

“Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duhet të miratosh 38 mijë faqe me ligje që kanë si synim vendosjen e një demokracie funksionale, një sistemi gjyqësor funksional, sigurimin e të drejtave të pronës dhe tregjeve të hapura. Kandidatura për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një mjet i fuqishëm për tërheqjen e investimeve dhe askush nuk do që ta dëmtojë një mundësi të tillë”.

Ambasadori Bruton thotë se pikërisht për fakte të tilla anëtarësimi në BE ka qenë shumë i rëndësishëm për shembull në lënien mënjanë të mosmarrëveshjeve, në raste si ato mes Turqisë dhe Greqisë, apo Irlandës dhe Britanisë. Zoti Brutton shprehu besimin se ky është një model i dobishëm, që mund të zbatohet edhe në pjesë të tjera të botës.

XS
SM
MD
LG