Lidhje

Shqipëri: Komisioni Evropian shpreh zhgënjimin për atmosferën politike para zgjedhjeve


Komisioni europian u shpreh sot i dëshpëruar për mosarritjen e një marrëveshjeje për ndarjen e zonave elektorale dhe bëri thirrje që të ndërmerren hapat e duhur sa më shpejt të jetë e mundur. Drejtori për Ballkanin perëndimor Reinhrad Priebe, i cili udhëheq bisedimet për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit u shpreh i shqetësuar per politizimin e lartë të përgatitjeve për zgjedhjet dhe mosbesimin që ekziston mes partive. Ai u shpreh se pret të shohë që zgjedhjet e ardhshme të jenë krejt ndryshe nga ato që janë zhvilluar më parë.

Ashtu siç në të vërtetë edhe pritej Shqipëria mori sot një dush të ftohtë nga komisioni europian për çështjet e zgjedhjeve. Takimi i grupit të përbashkët konsultativ ka nisur me tone zemërimi dhe zhgënjimi, të nxitura edhe nga odiseja e gjatë për ndarjen e zonave elektorale.

Nëse në deklaratat publike përfaqësuesit europian kanë qenë të ashpër, gjatë takimit ata kanë folur pa dorashka, aq sa në fillim palës shqiptare i është thënë se është turp që Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk arrin dot të organizojë zgjedhje pa probleme. Dhe termi turp është përdorur mëse një herë.

Ecuria e takimit i ka zbutur pak tonet por pa ndryshuar thelbin e qëndrimit kritik. Fraza tradicionale se është brë progres relativ krahasuar me zgjedhjet e shkuara është e pamjaftueshme është shprehur kryenegociatori i Komisionit europian Reinhard Priebe. Në realitet – ka shtuar ai kjo do të thotë që mbeten akoma pa u zgjidhur gabime të konsiderueshme:

"Verën e ardhshme ne presim të shohim dicka krejt ndryshe. Ne presim të shohim demonstrimin e faktit se Shqipëria është në gjendje të kryejë zgjedhje konform standarteve ndërkombëtare dhe se partitë politike që nuk kanë qenë të suksesshme të jenë në gjendje të njohin rezultatet dhe fituesin. Ne presim një qeveri të re plotësisht të legjitimuar dhe që kjo qeveri e re të jetë në gjendje të përqëndrohet në çështjet e shumta që duhet të zgjidhen" – deklaroi zoti Priebe.

Sipas komisionit europian përparaimi i deritanishëm është i brishtë, përgatitjet janë tejet të politizuara, se mosbesimi mes partive mbetet i lartë dhe se ka nevojë për ndërhyrje të
vazhdueshme nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Zoti Priebe u shpreh se ende shpreson që shumë kohë parpara zgjedhjeve të shihet një ndryshim radikal që të dëshmojë vullnetin e vërtetë të të gjithë forcave politike për të kryer zgjedhje sipas standarteve.

Pa angazhim të të gjithë aktorëve për zgjedhje tërësisht demokratike ekziston një rrezik i madh - tha zoti Priebe se zgjedhjet do të jenë sërish problematike. Ai kërkoi që politika të qëndrojë larg përgatitjeve dhe organizimit të zgjedhjeve. Ndarja e zonave u shpreh ai është cështje teknike, kriteresh, matematike dhe asgjë më tepër. Partitë nuk duhet t’i ndajnë ato sipas interesave të tyre. Nëse kjo ndodh atëherë ato thjesht do të dështojnë.

Në përfundim të takimit, kryenegociatori europian përsëriti edhe një herë thirrjen drejtuar qeverisë dhe parlamenti që të ndërmarrin hapat e duhur që vendimet të merren sa më shpejt të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG