Lidhje

Petersen: Viti 2005, vendimtar për të ardhmen e Kosovës


Shefi i aministratës së OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të shfrytëzojë rastin për të zgjidhur përfundimisht problemin e Kosovës. Në një raport që mbajti sot përpara Këshillit të Sigurimit, zoti Petersen e quajti vitin 2005 një vit të rëndësishëm për Kosovën dhe shfaqi shpresën se komuniteti ndërkombëtar do ta vlerësojë pozitivisht zbatimin e standardeve.

Zoti Jessen-Petersen theksoi se viti 2005 është një vit kyç për Kosovën dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të shfrytëzojë rastin për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e statusit të saj.

Ai tha se kemi një rast të mirë që kalendari i veprimeve për Kosovën të zbatohet sipas parashikimit, pra që në mes të këtij viti Grupi i Kontaktit të bëjë vlerësimin e standardeve dhe që në pjesën e dytë të vitit të mund të fillojnë bisedimet për çështjen e statusit.

Megjithatë, ai paralamëroi se gjatë këtij procesi mund të lindin edhe tensione dhe tërhoqi vemendjen se tensione të tilla mund të çonin edhe në hapa prapa.

Ashtu si edhe në raportin e 14 shkurtit të Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Annan, raporti i zotit Jessen-Petersen përmbante edhe vlerësime pozitive por edhe negative për situatën në Kosovë.

Ai tha se gjendja e sigurimit vazhdon të përmirësohet, niveli i krimeve të rënda është i ulët dhe prirjet janë pozitive. Dy vizita të zyrtarëve të rëndësishëm të Serbisë në Kosovë, tha ai, kaluan pa incidente.

Megjithatë, gjendja e sigurisë mbetet e brishtë, theksoi zoti Jessen-Petersen. Ai tha se pjestarë të pakicave vazhdojnë të ndihen të pasigurt dhe se serbët janë viktima të keqinformimit dhe të kufizimeve që ia imponojnë vetvetes. Ai e quajti këtë një perceptim të pakicave si të pasigurta.

Zoti Jessen-Petersen vlerësoi kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj në përpjekjet që ka bërë për tu shtrirë dorën serbëve me nismat e tij dhe tha se edhe udhëheqësit e tjerë duhet të ndjekin shembullin e tij.

Ai tha gjithashtu se zoti Haradinaj po tregon vendosmëri për tu marrë me ata zyrtarë që nuk punojnë mirë. Ai tha se institucionet e përkohshme të Kosovës kanë bërë përparim të ndjeshëm dhe shprehu kënaqësi për faktin që Presidenti Ibrahim Rugova dha dorëheqjen nga posti i tij i kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zoti Jesen-Petersen tha se qeveria ka marrë përsipër rindërtimin e të gjitha objekteve të shkatëssuara nga dhuna e marsit të vitit 2004, përfshirë kishat ortodokse, por shtoi ai, në këtë aspekt, përparimi është penguar nga një klerik i lartë ortodoks.

Zoti Jesen Petersen vlerësoi pastaj përparimin e bërë në aspektin e reformës në pushtetin vendor dhe dectralizimin dhe bëri thirrje që të hiqet dorë një herë e mirë nga të gjitha strukturat paralele.

Administratori i Kosovës tha se stanjacioni ekonomik mbetet shqetësim serioz, papunësia është e lartë dhe mungon rrjeti i mbrojtjes sociale. Megjithatë ai tha se nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Dialogu, midis serbëve dhe shqiptarëve mbetet me rëndësi themelore por për fat të keq, tha zoti Petersen, serbët po mbeten jashtë dialogut. Ai shtoi se shumë serbë janë të zhgënjyer dhe presin sinjale nga Beogradi. Ai u bëri thirrje atyre që të marrin pjesë më shumë në institucione.

Më 10 mars, do të fillojnë bisedimet për çështje teknike midis shqiptarëve dhe serbëve për personat e zhdukur. Këto bisedime do të kryesohen nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Zoti Jessen Petersen shfaqi shpresën se këto bisedime do të çojnë në një dialog të drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit.

Administratori i Kosovës u shpreh kundër ndarjes së Kosovës dhe tha se kjo nuk është një alternativë realiste. Ndarja, tha ai, është program i atyre që dëshirojnë kthimin në të kaluarën dhe ajo do të sakrifikonte 60 përqind të serbëve që nuk jetojnë në veri.

XS
SM
MD
LG