Lidhje

Qeveria e Shqipërisë merr vendimin për shtimin e trupave shqiptare në Irak


50 trupa të reja komando shqiptare do t’i shtohen kontingjentit të forcave të ushtrisë të cilat veprojnë në Irak. Vendimi u mor nga qeveria e Shqipërisë gjatë mbledhjes së sotme.

Kjo është një shenjë e vullnetit të Shqipërisë për të vazhduar angazhimin dhe kontributin e saj të drejtpërdrejtë në luftën kundër terrorizmit si dhe forcimin e demokracisë dhe lirisë në Irak, i tha Zërit të Amerikës zëdhënësi Aldrin Dalipi.

Të 120 trupat e reja pritet të nisen në ditët e para të muajit prill kur do të bëhet edhe ndërrimi me kontingjentin prej 70 komandove që ndodhen aktualisht në Irak. Sipas standarteve të Natos, 120 është edhe numri i nevojshëm për formimin e një kompanie ushtarake.

Trupat shqiptare do të vazhdojnë të veprojnë në Mosul, në zonën e aeroportit të këtij qyteti ku veprojnë nën komandën amerikane. Vendimi i qeverisë do të duhet të kalojë edhe në parlament.

Edhe kjo shtesë e numrit të trupave do të përballohet financiarisht nga shteti shqiptar. Kostot e pranisë shqiptare në Irak shkojnë tashmë në më shumë se gjysëm milion dollarësh në vit.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që përkrahu ndërhyrjen amerikane në Irak dhe menjëherë ofroi mbështetje edhe me trupat e veta që u rreshtuan në koalicionin antiterror të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Anglia.

Të 70 komandot e para u nisën në prill të vitit 2003. Ato u përcollën me një ceremoni madhështore të rganizuar në sheshin qëndror të kryeqytetit në praninë e autoriteteve më të larta të vendit. Përveç Irakut, trupa e ushtrisë shqiptare janë të angazhuara në misione paqeje në Bosnje dhe në Afganistan.

XS
SM
MD
LG