Lidhje

Shtohet ankthi në pritje të çmimeve Oscar


Një temë që ka tërhequr kohët e fundit vëmendjen e sociologëve dhe veprimtarëve për të drejtat e gruas është Miti i gruas dhe nënës së përsosur. Rezultat i vëmendjes së shtuar mbi këtë temë është drama e suksesshme televizive Desparate Housewives, e cila shtjellon vështirësitë me të cilat ndeshen gratë amerikane sot në përpjekje për të arritur përsosmërinë në familje dhe shoqëri. Por Hollivudi është për momentin i mbërthyer nga ethet e çmimeve Oskar që do të ndahen të dielën. Çfarë nënkupton një çmim i tillë për kinostudiot dhe për aktorët që e fitojnë atë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e sjellin Minutat e Hollivudit përgatitur nga kolegia Ardita Simiçia:

Kinostudiot shpenzojnë miliona dollarë për të marketuar ceremoninë e çmimeve Oskar: reklama në revista mbi kandidatët për këtë çmim, tabela reklamash lidhur me këtë ngjarje, ndërkohë që në gazeta, revista dhe televizor vazhdojnë përpjekjet për të shitur biletat.

“Industrisë së filmit i pëlqen t’i llogarisë kandidaturat për Oskar me shuma dollarësh, pasi shton numrin e shitjes së biletave dhe fitimet për studiot”, thotë gazetarja Jeanne Wolf.

Sipas një raporti të fundit të botuar në revistën Variety, fituesit e kategorisë më të rëndësishme mund t’i shtojnë fitimet me 10 milion dollarë pasi rritet shitja e biletave për atë film pas çmimeve Oskar. Edhe aktorët konkurues në kategoritë e çmimeve, pasi pagat e tyre arrijnë menjëherë në miliona dollarë:

“Ndryshimi më i madh do të jetë shtimi i numrit të ofertave për role të tjera”, thotë aktorja Virginia Madsen, e cila konkuron në kategorinë e aktores më të mirë në një rol dytësor për lojën në filmin Sideways.

Disa kandidatë të tjerë e shohin garën për Oskar nga një tjetër këndvështrim. Alan Alda konkuron në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor për lojën në filmin The Aviator:

“Mund të jetë vështirë të shpjegohet, por edhe tani në këtë moment të jetës kandidatura për Oskar është shumë inkurajuese, pasi gjithmonë përpiqem të përmirësoj punën. Kjo tregon se kam bërë përmirësime dhe më ka frymëzuar të vazhdoj edhe në të ardhmen”.

Thomas Haden Church, konkuron në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor për filmin Sideways.

“Fakti që kanë zgjedhur pesë kandidatë nga mijëra role dytësore, dhe një ndër kandidatët jam unë vetë, e bën këtë një fitore që tani. Unë do të njihem gjithmonë si një aktor që kandidoi për çmimin Oskar”.

Jamie Fox është kandidat për dy çmime Oskar: një si aktori më i mirë për portretizimin e Ray Charles, ndërsa tjetrin për rolin dytësor në filmin Colateral:

“Unë nuk kam të fitoj aq shumë para, apo të paguhem 50 milion dollarë për film. Por më pëlqen të bëj filma të mirë. Çmimi Oskar ta jep një mundësi të tillë, pasi të hapen dyert e shanseve dhe takon njerëz shumë të talentuar. Pikërisht kjo është e mira e marrjes së çmimit Oskar”.

Por si çdo gjë tjetër në jetë, edhe çmimet Oskar nuk janë një garanci e prerë dhe ka pasur edhe aktorë, karriera e të cilëve ka shënuar rënie pas marrjes së çmimit Oskar.

Ndërkohë, qindra punonjës vazhduan punën nën shirat e dendur në Bulevardin Hollivud për ta shndërruar këtë rrugë në epiqendrën e Oskarit. Nën rreshjet e forta punëtorët ngritën edhe statujën 6 metërshe të Oskarit, të veshur me mushama. Në fakt statuja është e mbështjellë me një fletë plasmasi, e cila do të hiqet para fillimit të ceremonisë Oskar.

Punëtorët po ndërtojnë edhe stendat si dhe po përgatisin rrugën për shtrimin e tapetit të kuq. Për momentin Bulevardi Hollivud është mbyllur për kalimtarët dhe trafikun dhe do të rihapet pas përfundimit të ceremonisë Oskar të dielën.

“Desperate Housewives”, një mesazh social për mitin e gruas së përsosur

Të martën trupa realizuese e serialit shumë të suksesshëm televiziv Desparate Housewives u mblodhën në Akademinë e Artit dhe Shkencave për një diskutim mbi suksesin e dramës dhe temat që prek ajo.

Personazhet e dramës, shtëpiake në të 30-at janë pak a shumë antipodi i personazheve të komedisë Sex and the City, ku 4 shoqet, banore të New Yorkut kishin karriera të sukseshme, shpenzonin shuma marramendëse për veshje dhe argëtim dhe kishin një jetë shumë të çlirët.

Personazhet e dramës së re janë shtëpiake në një rutinë mbytëse dhe stresuese në përpjekje për të krijuar jetën e përsosur.

Kjo dramë është vlerësuar nga kritika sepse ka sjellë në qendër të vëmendjes Mitin e Nënës dhe Gruas së Përsosur, i cili në ditët e sotme duket gjithnjë e më i paarritshëm. Pra me pak fjalë: Hollivudi me mision social.

XS
SM
MD
LG