Lidhje

Tensionet Francë-Amerikë: Të reja apo historike?


Në përpjekjet e tij për të riparuar marrëdhëniet amerikano-evropiane, Presidenti Bush ka folur për rëndësinë e lidhjeve transatlantike. Por Evropa përbëhet nga shumë vende me qëndrime të ndryshme ndaj Shteteve të Bashkuara. Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës janë ndoshta më të ndërlikuarat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden, megjithëse këto vende kanë qenë aleate për 200 vjet, gjithmonë ka patur një farë tensioni thuajse të padukshëm mes tyre.

Këngëtari francez Vigon këndon këngë amerikane çdo natë në restorantin Ëndrra Amerikane në zemër të Parisit. Ai thotë se francezët e duan Amerikën.

“Për 40 vjet kam kënduar këngë amerikane këtu dhe vizitorët i pëlqejnë shumë”.

Në skajin tjetër të spektrit, Frederick Royer është aq kritik ndaj politikës së jashtme amerikane saqë ka krijuar një publikim të vetin satirik të quajtur anti-amerikani, me artikuj që venë në lojë amerikanët. Në këtë numër botohet një konkurs për t’u ndryshuar emrin Shteteve të Bashkuara dhe një bllok i rremë shënimesh i Presidentit Bush, ku janë radhitur aktivitete të tilla si bombardimi i Irakut dhe një bisedë me Zotin.

“Ky është një reagim ndaj kritikave kundër Francës, në Shtetet e Bashkuara”.

Të dyja këndvështrimet janë karakteristike për ndjenjat e dashurisë dhe urrejtjes që shumë francezë kanë për Amerikën. Andre Kaspi, profesor i Historisë Amerikane në Univerisitetin Sorbonne të Parisit thotë se tensioni nuk e ka bazën thjesht tek politika aktuale.

“Ne i shikojmë globalizimin dhe amerikanizimin si të njëjtën gjë, kështuqë nëse ecën në rrugët e Parisit mund të gjesh plot njerëz të veshur si në Shtetet e Bashkuara, duke ngrënë si në Shtetet e Bashkuara, por njëkohësisht të shqetësuar nga ky ndikim amerikan, për shkak të humbjes së identitetit kombëtar. Për këtë arsye mendoj se mund të gjesh njëkohësisht një magjepsje për Shtetet e Bashkuara, por edhe një urrejtje të fortë për atë që ata e quajnë civilizimi amerikan”.

Humbja e identitetit kulturor e shoqëruar nga një mosmarrëveshje e ashpër lidhur me përdorimin e njëanshëm të forcës ushtarake amerikane në Irak kërcënuan të minonin aleancën transatlantike. Por zgjedhjet në Irak, nisma diplomatike e administratës së Presidentit Bush në Evropë dhe vetëdija nga të dyja palët se kanë nevojë për njëra-tjetrën, japin shpresë për ripërtëritjen e bashkëpunimit.

“Fuqitë evropiane, kryesisht Franca, e dinë se duhet të bashkëpunojnë në një farë mënyre me Shtetet e Bashkuara në Irak. Sepse nëse Shtetet e Bashkuara dështojnë në Irak, ky do të ishte një dështim jo vetëm për amerikanët, por edhe për evropianët dhe për demokracinë dhe meqë kemi të njëjtat vlera politike, nëse amerikanët humbasin, humbasim edhe ne”.

Ajo që do t’i tjetërsonte në mënyrë të konsiderueshme marrëdhëniet mes vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara në të ardhmen e afërt është perspektiva e një Evrope të bashkuar. Përfaqësuesi i Asamblesë Kombëtare franceze dhe president i delegacionit francez në Bashkimin Evropian Pierre Leguiller thotë se një lloj bashkimi si për shembull Shtetet e Bashkuara të Evropës do të ishte një partner më i fortë dhe më me ndikim, edhe si mbështetje, edhe si kundërpeshë për aleatët amerikanë.

“Në të ardhmen ne do të kemi më shumë shanse për të patur një Evropë të bashkuar dhe për të përballuar këto probleme, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në Irak, por jo duke qenë kundër Shteteve të Bashkuara, por përkrahës të Amerikës”.

Ai shton se megjithëse miqtë e mirë ndonjëherë kanë mosmarrëveshje, një aleat i fortë dhe i bashkuar është më vështirë të injorohet.

XS
SM
MD
LG