Lidhje

Marinsat amerikanë dhe forcat irakiane intensifikojnë luftimet në zonat e trazuara


Marinsat amerikanë dhe forcat irakiane i intensifikuan sot luftimet në qytetet e trazuara në provinën perëndimore al-Anbar, ndërkohë që një zyrtar i lartë irakian tha se trupat po i afrohen terroristit të kërkuar Abu Musab al-Zarkaui.

Trupat përparuan në perëndim të Luginës së Lumit Eufrat në përpjekje për të asgjësuar kryengritësit që strehoheshin në disa qytete të asaj zone. Dëshmitarët njoftuan se marinsat dhe kryengritësit kishin shkëmbyer zjarr në qytetin Ramadi, ku gjetën vdekjen të paktën 3 irakianë dhe u plagosën 15 të tjerë.

Ndërkaq, Shefi i Sigurimit Kombëtar Kasem Daud u tha gazetarëve se trupat e tij i janë afruar ndjeshëm al Zarkauit. Këtë javë qeveria njoftoi se ka arrestuar 2 ndihmës të lartë të udhëheqësit terrorist.

Në zhvillime të tjera, të afërmit e spikeres së një televizioni irakian, e cila u rrëmbye të dielën, thanë se trupi i saj u gjet në Mosul.

Ndërkaq, sulmet në Bagdat dhe në qytetin Musajib lanë të vrarë tre persona dhe plagosën të paktën 5 të tjerë.

XS
SM
MD
LG