Lidhje

Çmimet Oscar


Filmi Million Dollar Baby fitoi mbrëmë çmimin Oscar si filmi më i mirë, ndërsa regjisori i tij, Clint Eastwood, u shpall regjisori më i mirë. Ky film ishte suksesi më i madh në ceremoninë e bujshme të çmimeve Oscar në Los Angeles.

Filmi Million Dollar Baby shënoi padyshim suksesin më të madh në morinë e filmave që pretendonin të fitonin çmimin prestigjoz Oscar në Los Anxheles. Çmime po për këtë film fituan edhe regjisori i tij Clint Eastwood, Hillary Swank si aktorja më e mirë në një rol kryesor dhe Morgan Freeman si aktori më i mirë në një rol dytësor. Filmi ”The Aviator” i regjisorit Martin Scorcese mori numrin më të madh të çmimeve, 5.

Midis tyre edhe një çmim për Kate Blanchet si aktorja më e mirë në një rol dytësor. 4 vjeçari Eastwood, është më i vjetri ndër regjisorët që fitojnë Oscar. Duke marrë çmimin ai tha se nëna e tij tashmë 96 vjeçare që ndodhej në sallë, ishte e pranishme edhe në vitin 1992 kur ai fitoi çmim si regjisor dhe aktori më i mirë për filmin Unforgiven. Ceremonia e mbrëmshme ia theu përsëri zemrën Scorcese-s, i cili humbet për herë të pestë garën për çmimin e regjisorit më të mirë, megjithëse filmi i tij ”The Aviator” fitoi 5 çmime.

Me të ndodh pikërisht ashtu si me disa regjisorë të mëdhenj në të kaluarën si Alfred Hitchcock dhe Robert Altman. Hillary Swank fitoi për herë të dytë Çmimin Oscar me filmin Million Dollar Baby, ndërsa Jamie Foxx u shpall aktori më i mirë në një rol kryesor për filmin ”Ray”. Është hera e dytë që dy afrikano-amerikanë, pra Jamie Foxx dhe Morgan Freeman, fitojnë dy nga çmimet Oscar për aktorët. Hillary Swank, e cila në vitin 2000 fitoi çmimin si aktorja më e mirë për filmin Boys Don’t Cry - Djemtë nuk qajnë - la pas kandidaten Annette Bening, e cila luante në filmin Being Julia - Të jesh Julia.

Pesë vjet më parë, Bening ishte kandidate për çmimin aktorja më e mirë për filmin ”American Beauty” por humbi ndaj kandidates tjetër Hillary Swank. Jamie Foxx fitoi për imitimin e zgjuar që i bën në film këngëtarit të madh Ray Charles. Në ceremoninë e çmimeve, Foxx interpretoi për pak sekonda këngën e njohur të Ray Charles-it ”What I”d Say” - ”Çfarë do të thosha”. Është hera e dytë që ai fiton çmimin Oscar. Ai ka fitouar më parë edhe si aktor në një rol dytësor për filmin ”Collateral”.

Një fituese tjetër, Kate Blanchet, në filmin ”The Aviator” luan rolin e aktores së famshme Katharine Hepburn, e cila ka qenë 12 herë kandidate për çmimin Oscar dhe e ka fituar atë 4 herë - një shifër rekord kjo. Filmi spanjoll ”The Sea Inside” - Deti Brenda - fitoi çmimin si filmi më’ i mirë i huaj. Ai flet për jetën e vërtetë të një njeriu të paralizuar që lufton nëpër gjykata që t’i japin të drejtën për t’i dhënë fund jetës.

XS
SM
MD
LG