Lidhje

Presidenti Bush komenton në Evropë për Iranin


Gjatë udhëtimin të tij në Evropë, Presidenti Bush tha se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara së bashku mund “t’i japin historisë një drejtim shpresëdhënës”, duke punuar për të përhapur lirinë, veçanërisht në Lindjen e Mesme:

“E ardhmja e vendeve tona, si edhe e ardhmja e Lindjes së Mesme janë të lidhura me njëra-tjetrën, dhe paqja jonë varet tek shpresa e tyre, tek zhvillimi dhe liria”.

“Në planet afatgjata, tha Presidenti Bush, ne nuk mund të jetojmë në paqe dhe të sigurt nëse Lindja e Mesme vazhdon të prodhojë ideologji vrasjeje dhe terroristë që duan të shtien në dorë armët më vdekjeprurëse”.

“Regjimet që terrorizojnë popujt e tyre nuk hezitojnë të mbështesin terrorizmin jashtë vendit të tyre. Një status-quo tiranie dhe mungese shprese në Lindjen e Mesme, stabiliteti i rremë i diktaturës dhe prapambetjes, mund të çojnë vetëm në pakënaqësi edhe më të madhe në një rajon të trazuar, madje edhe tragjedi në vende të lira”.

Presidenti Bush foli ashpër për Iranin, duke deklaruar se lidhur me atë vend “bota e lirë ka një synim të përbashkët”.

“Për hir të paqes, regjimi iranian duhet t’i japë fund mbështetjes së terrorizmit dhe duhet të mos prodhojë armë bërthamore”.

Presidenti Bush tha se “të gjitha mundësitë do të merren në konsideratë”, në lidhje me synimet bërthamore të Iranit. Por Shtetet e Bashkuara, thotë ai, po punojnë me vendet e tjera për një zgjidhje diplomatike.

“Shtetet e Bashkuara janë anëtare të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, që ka marrë rolin drejtues për këtë çështje. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, në kundërshtimin ndaj ambicieve bërthamore të Iranit dhe në këmbënguljen që Teherani të veprojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Rezultatet e këtyre përpjekjeve tani varen kryesisht nga Irani. Ne gjithashtu presim që Irani më në fund ta mbajë premtimin për reforma. Ka ardhur koha që regjimi iranian të respektojë vullnetin e popullit iranian, të drejtat e tyre dhe të bashkohet me lëvizjen për lirinë që po zhvillohet atje”.

“Në gjithë Lindjen e Mesme, tha Presidenti Bush, që nga territoret palestineze, në Liban, në Irak, në Iran, unë besoj se përparimi i lirisë brenda vendeve do të vendosë paqen mes këtyre vendeve”.

XS
SM
MD
LG