Lidhje

Misionet paqeruajtëse amerikane më të suksesshme se ato të OKB-së


Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, bashkësia ndërkombëtare është përfshirë në 44 misione paqeruajtëse. Një studim i ri tregon se Kombet e Bashkuara janë relativisht të sukseshme në misione më të vogla dhe të kufizuara në ndërtimin apo rimëkëmbjen e shteteve, ndërkohë që koalicionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë patur më shumë sukses në operacione më të mëdha dhe më të vështira. Korrespondentja jonë, Ivana Kuhar, njofton mbi diskutimin e një grupi ekspertësh kohët e fundit në Institutin Brookings në Washington.

James Dobbins, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe këshilltar i posaçëm presidencial për çështjet e Ballkanit, ka drejtuar një studim të sapopublikuar nga Korporata Rand me titull “Roli i Kombeve të Bashkuara në Ndërtimin e Shteteve: Nga Kongo në Irak”. Ai thotë se misionet paqeruajtëse janë një mjet efikas për të ndihmuar shoqëritë pas konflikteve drejt një të ardhmeje paqësore e demokratike.

“Ndërmjet organizatave të ndryshme që merren me misione të tilla, si Nato, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, organizata të tjera rajonale apo koalicione të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, OKB-ja shpenzon shumë më pak sesa koalicionet e udhëhequra nga Amerika apo Evropa dhe janë shumë më të efektshme se çdo organizatë tjetër rajonale. Si përfundim, OKB-ja është më e efektshmja nga të gjitha grupimet ndërkombëtare për misione paqeruajtëse, me kusht që misioni të jetë brenda mundësive të saj”.

Por zoti Dobbins thotë se ekzistojnë kufizime serioze në mundësitë e Kombeve të Bashkuara. Organizata botërore ka vetëm një numër të kufizuar trupash dhe kurrë nuk ka dislokuar më shumë se 20 mijë forca njëherësh gjatë një misioni. Ai thotë se në shumë raste, misionet e OKB-së nuk mund të shërbejnë si alternativa të përpjekjeve të dretjuara nga Amerika në ndërtimin e shteteve.

Francis Fukuyama është profesor i ekonomisë politike në Universitetin Johns Hopkins. Ai thotë se misionet paqeruajtëse të OKB-së dhe të Amerikës nuk duhen krahasuar me njeri tjetrin, por ato duhet të shihen si plotësuese të njëri-tjetrit. Ekzistojnë situata kur paqja duhet së pari të vendoset dhe pastaj të ruhet. Meqenëse vendosja e paqes interpretohet si një veprim i njëanshëm, Kombet e Bashkuara nuk mund ta kryejnë një detyrë të tillë për shkak të paanshmërisë së përcaktuar në mandatin e tyre. Profesor Fukuyama thotë se gjendja në Ballkan është ilustrim i argumentit të tij.

“Në Ballkan nuk mund te ishte i paanshëm, pasi njëra palë ishte shkaktarja e trazirave dhe derisa u thye fuqia e Serbisë, nuk mund të arrihej një zgjidhje themelore e problemit. Në të vërtetë, një embargo e paanshme armësh i ndihmoi serbët. Kështu që konflikti mund të ndalej vetëm me kombinimin e forcës së ushtrisë kroate me atë të forcës ajrore amerikane. Kombet e Bashkuara, thjeshtë, nuk ishin në gjendje të përballonin këtë problem. Paanshmëria nuk është e njëjta gjë me legjitimitetin”.

Misionet e sukseshme për vendosjen e paqes përfshijnë rindërtimin dhe zhvillimin e vendit pas konfliktit. Ndërkohë që vendet e Natos mund të jenë më të efektshme në rindërtimet urgjente, OKB-ja është mekanizëm më i mirë për zhvillim ekonomik dhe ngritje strukturash civile, thotë professori. Gjenerali amerikan në pension, William Nash, ka përvojë të gjerë në operacionet paqeruajtëse, qoftë si komandant ushtarak në Bosnje, ashtu edhe si administrator civil në Kosovë. Ai thekson se Kombet e Bashkuara nuk e kanë aftësinë e duhur ushtarake të zgjidhin situata si pasojë e konflikteve të vështira, meqenëse standartet dhe aftësitë ushtarake të vendeve kontribuese ndryshojnë tepër. Megjithatë, vetëm ky aspekt nuk arrin ta bëjë Naton forcë ideale për vendosjen e paqes. Aleanca nuk arriti të përfitonte nga ajo që Gjenerali Nash e cilëson si vlerësim të shkëlqyer politik të OKB-së për problemet dhe personalitetet, veçanërisht në Bosnje.

“Kam arritur në përfundimin se atë që kishte ndërtuar OKB-ja, ne e dëmtuam me misionin e UNPROFOR-it, kur Natoja mori kontrollin pas Marrëveshjes së Daytonit. Forcat e Natos, për shkak të arrogancës, nuk përfituan nga ai kapacitet politik, ekonomik dhe social kur Kombet e Bashkuara ua dorëzuan detyrën”.

Vitet e fundit, ritmi i veprimtarive ndërkombëtare në ndërtimin e shteteve është rritur vazhdimisht. Tani, Kombet e Bashkuara kanë të dislokuara 70 mijë trupa në 17 misione të ndryshme paqeruajtëse.

XS
SM
MD
LG