Lidhje

Presidenti Bush mbi Sirinë dhe Iranin


Siria dhe Irani kanë shpallur publikisht një aleancë për të përballuar ato që këto vende i cilësojnë si sfida dhe kërcënime. Pas njoftimit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se nëse Siria dhe Irani i referohen Shteteve të Bashkuara kjo përbën një keqkuptim të madh të kësaj çështjeje. Si Siria ashtu edhe Irani, tha zëdhënësi McClellan, kanë detyrime ndërkombëtare dhe ato duhet të përmbushin angazhimet që kanë marë përpara komunitetit ndërkombëtar.

Në një konferencë shtypi, presidenti Bush theksoi kërcënimet që Siria dhe Irani përbëjnë për vendet e tjera dhe angazhimet që këto dy regjime duhet të përmbushin.

“Ne ia kemi bërë më se të qartë Sirisë që të mos lejojë territorin e saj që të përdoret nga anëtarë të partisë bathiste të ish regjimit të Irakut për të përhapur kaos dhe për të vrarë njerëz të pafajshëm. Ne presim prej tyre që të gjejnë dhe të dorëzojnë në Irak përkrahës të ish regjimit të Sadam Huseinit. Ne e kemi bërë më se të qartë që prej fillimit të administratës time se Siria nuk duhet ta përdorë territorin e saj për të mbështetur grupe terroriste ndërkombëtare. Ne presim prej autoriteteve siriane që të zbatojnë rezolutën 1559 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila kërkon tërheqjen e trupave nga Libani. Madje ne presim prej tyre që të ndihmojnë në mbajtjen e zgjedhjeve të drejta e të lira në Liban. Këto janë kërkesa shumë të arsyeshme. Këto janë arsye që kanë për qëllim ta bëjnë botën më paqësore.”

Lidhur me Iranin, presidenti Bush tha se çdokush duhet të shqetësohet në se Irani prodhon armë bërthamore.

“Objektivi është që të zgjidhet kjo çështje në mënyrë diplomatike, të bashkëpunojmë me miqtë tanë ashtu siç po veprojmë me Francën, Gjermaninë dhe Britaninë, të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Iranit se prodhimi i armëve bërthamore është i papranueshëm. Por po të isha udhëheqësi i Izraelit dhe po të dëgjoja disa deklarata të ajatollahëve në Iran që lidhen me siguirimin e vendit tim, pa dyshim që do të shqetësohesha në se Irani do të kishte edhe armë bërthamore. Dhe meqë Izraeli është aleati ynë dhe meqë ne kemi treguar një angazhim të fortë për të mbrojtur Izraelin, ne do ta mbështesim Izraelin në se siguria e tij rrezikohet.”

Presidenti Bush tha se prodhimi nga Irani i armëve bërthamore është e papranueshme, strehimi i terroristëve dhe krijimi i zonave të sigurta për ta po ashtu është e papranueshme. Shtetet e Bashkuara, tha presidenti, do të vazhdojnë të punojnë me komunitetin ndërkombëtar për ta bërë këtë të qartë.

XS
SM
MD
LG