Lidhje

Dënimi me vdekje në SHBA


Në Shtetet e Bashkuara, kundërshtarët e dënimit me vdekje siguruan një fitore të rëndësishme në Gjykatën e Lartë. Me pesë vota pro dhe katër kundër, gjykata e lartë arriti dje në përfundimin se është jokushtetuese të ekzekutohen kriminelët që janë ose kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë kryer krime.

Opinioni i shumicës që hodhi poshtë dënimin me vdekje për të miturit ishte shkruar nga anëtari i gjykatës Anthony Kennedy. Ai vinte në dukje atë që ai e cilësonte “peshë shtypëse të opinionit ndërkombëtar” që ka kundërshtuar me forcë vitet e fundit dënimin me vdekje të të rinjve. Anëtari i Gjykatës Kennedy shkruante gjithashtu se shoqëria amerikane i sheh adoleshentët, sipas fjalëve të tij, si “kategorikisht më pak fajtorë në krahasim me një kriminel të zakonshëm”, për shkak papjekurisë dhe paqëndrueshmërisë së tyre emocionale.

Reagimi i kundërshtarëve të dënimit me vdekje ishte i menjëhershëm dhe pozitiv. Marsha Levick punon në organizatën Qendra Ligjore për të Rinjtë në New York. “Ne nuk mund të imponojmë dënimin me vdekjen për ata, faji i të cilëve nuk mund të konsiderohet aq i rëndë sa i të rriturve dhe të cilët nuk kanë të njëjtën pjekuri si të rriturit”.

Vendimi me një diferencë vetëm prej një vote, do të ketë ndikim tek 19 shtete që lejonin dënimin me vdekje për ata që kishin kryer dënime nën moshën 18 vjeç. Vendimi i rrëzon dënimet me vdekje për mbi 70 vetë që i kanë kryer vrasjet kur ishin 16 ose 17 vjeç.

Në vitin 1988, Gjykata e Lartë nxorri jashtë ligjitt ekzekutimet për ata që i kishin kryer krimet nga mosha 15 vjeçare e poshtë. Shtetet e Bashkuara ka qenë vitet e fundit mes një numri gjithnjë e më të vogël vendesh vitet e fundit që ende lejonin ekzekutimin mes të miturve. Vende të tjera kanë marrë masa për t’i dhënë fund kësaj praktike, përfshirë Iranin, Pakistanin, Kinën dhe Arabinë Saudite.

Anëtarja e Gjykatës, Sandra Day O’Connor shprehu opinionin e atyre që votuan kundër. Ajo argumentoi se megjithëse ata që janë nën 18 vjeç mund të konsiderohen më pak fajtorë sesa të rriturit, për ta gjithsesi duhet marrë në konsideratë dënimi me vdekje, në varësi të faktit se sa i rëndë është krimi që kanë kryer. Vendimi nuk u prit mirë nga anëtarë të familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre si pasojë e krimeve të adoleshentëve.

Bill Green dhe Adolph Pena kanë humbur secili fëmijën nga krimet e adoleshentëve 17 vjeçarë. “Ai që vrau djalin tonë kishte kryer mbi 14 krime të rënda, deri në moshën 17 vjeçare”, thote zoti Green.

“Unë mund t’ju them diçka: Këta 17 vjeçarë dinin ç’po bënin kur vranë vajzën time”, thote zonja Pena.

Qendra e Informacionit për Dënimin me Vdekje thotë se 22 kriminelë janë ekzekutuar për krime të kryera kur ishin 16 ose 17 vjeç, që kur Gjykata e Lartë risolli në fuqi dënimin me vdekje në vitin 1976.

Vendimi i fundit është në vazhdën e një prirjeje disavjeçare të Gjykatës së Lartë për t’i vënë kufizime zbatimit të dënimit me vdekje. Gjykata ndaloi në vitin 2002 dënimin kapital të kriminelëve me të meta mendore, duke e quajtur shkelje të ndalimit që i bën kushtetuta ndëshkimeve mizore.

XS
SM
MD
LG