Lidhje

Opozita libaneze shpall kërkesa për Sirinë dhe aleatët e saj


Udhëheqësit e opozitës në Liban shpallën një numër kërkesash për Sirinë dhe aleatët e saj në Beirut.

Pas një takimi pranë Beirutit, udhëheqësit e opozitës thanë se presidenti sirian Bashar al-Assad duhet deklarojë zyrtarisht tërheqjen e plotë të trupave siriane dhe agjentëve të zbulimit nga Libani.

Zyrtarët bënë gjithashtu thirrje për dorëheqjjen e shefave libanezë të sigurimit, që gëzojnë mbështetjen e Sirisë.

Në Damask, Presidenti sirian Bashar al-Assad u takua me udhëheqësin e Katarit, Sheik Hamad bin Khalifa al-Thani për të diskutuar mbi presionin në rritje ndaj Sirisë, pas vrasjes së ish-kryeministrit Libanez Rafik Hariri.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Bush tha se Siria duhet t’i japë fund kontrollit politik mbi Bejrutin dhe të tërheqë trupat nga Libani.

Presidenti Bush i dërgoi mesazhin më të drejtpërdrejtë qeverisë së Damaskut, duke përforcuar kërkesat e Sekretares amerikane të Shtetit Condoleeza Rice dhe Ministrit të jashtëm francez Michel Barnier. “Unë e përshëndeta konferencën e saj të shtypit me Ministrin e Jashtëm të Francës, ku të dy ata ia bënë të qartë Sirisë se duhet të tërheqë trupat dhe shërbimet sekrete nga Libani, në mënyrë që të mund të vendoset një demokraci e shëndoshë”.

Presidenti Bush, në komentet që bëri në një universitet të Merilendit tha se komuniteti ndërkombëtar po punon së bashku për hir të lirisë dhe paqes në Lindjen e Mesme edhe po flet me një zë për t’u siguruar konsolidimin e demokracisë në rajon. Presidenti Bush tha se Siria nuk po ndjek hapat drejt demokracisë në Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan thotë se Siria e di se ç’duhet të bëjë për të ndryshuar qëndrimin e saj dhe për të patur një rol konstruktiv në rajon dhe në komunitetin ndërkombëtar. Ai thotë se administrata e Presidentit Bush vazhdon të jetë e shqetësuar për anëtarët e ish-regjimit irakian që veprojnë përtej kufirit në Siri.

Zoti McClellan thotë se Washingtoni është gjithashtu i shqetësuar mbi mbështetjen që Siria vazhdon t’i japë terrorizmit, përfshirë shpërthimin e fundit në Tel Aviv. Ai thotë se administrata e Presidentit Bush ka të dhëna bindëse se dhuna ishte planifikuar nga udhëheqësit e Xhihadit islamik në Damask.

Siria ka patur trupa në Liban që nga viti 1976, pak pas fillimit të luftës civile në vend. Rreth 14 mijë trupa ushtarake dhe përfaqësues të shërbimit të zbulimit sirian, mendohet të jenë në Liban. Presioni për tërheqjen e tyre është rritur që kur vrasja e ish-kryeministrit libanez shkaktoi protesta që këtë javë detyruan dorëheqjen e qeverisë pro-siriane në Beirut.

XS
SM
MD
LG