Lidhje

Carly Fiorina, kandidate e fortë për postin e presidentes së Bankës Botërore


Carly Fiorina, ish shefja ekzekutive e kompanisë së kompjuterave Hewlett Packard thuhet të jetë ndër kandidaturat kryesore për të zëvendësuar presidentin e Bankës Botërore James Wolfenson.

Zonja Fiorina e mbajti postin më të lartë të firmës Hewlett Packard për 6 vjet duke u bërë gruaja më e fuqishme dhe më e njohur në biznesin amerikan. Ajo u shkarkua në fillim të shkurtit për shkak të mosmarrëveshjeve me bordin e drejtorëve për strategjinë e kompanisë.

Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh i Bankës Botërore dhe tradicionalisht emërojnë presidentin e saj. Zoti Wolfenson do të largohet nga ky post më 1 qershor. Zyrtarët e administratës së presidentit Bush thanë se zonja Fiorina dhe nën sekretari amerikan i mbrojtjes Paul Wolfowitz janë kandidatët kryesorë për këtë post. Megjithatë zyrtarët e Pentagonit thanë se zoti Wolfowitz ka në plan ta mbajë postin e tij në departamentin e mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG