Lidhje

Nju Jork Tajms: Standartet e qeverisjes në Kosovë ende të pakënaqshme


Në një editorial të botuar sot, gazeta Nju Jork Tajms shkruan se Kosova nuk i ka plotësuar në mënyrë të mjaftueshme standardet e qeverisjes dhe të harmonisë etnike që të lejojnë fillimin e bisedimeve për pavarësinë. Qeveria kryesohet nga një ish udhëheqës guerilas që dyshohet për krime lufte dhe më pak se një vit më parë shqiptarët u hodhën në trazira anti-serbe të cilat lanë 19 të vdekur.

Shqiptarët e Kosovës, thuhet në editorial, kanë shkelur të drejtat e pakicës serbe dhe në këto kushte, përcaktimi i një kalendari për pavarësinë do të shpërblente pabesinë. Grupi i Kontaktit, thotë editoriali, duhet të përcaktojë me forcë se çfarë ka nevojë të plotësojë Kosova.

Puna duhet të fillojë menjëherë për një zgjidhje, e cila të përfshinte, të paktën përkohësisht, një zonë gjysmëautonome për serbët. Kjo do të eliminonte shpresat e pakicës serbe për të marrë përsëri kontrollin. Shqiptarët, thuhet në editorial, nuk duhet të kenë nevojë për stimuj të tjerë për t'u sjellë si duhet.

Perëndimi, thotë editoriali i Nju Jork Tajmsit, veproi me vonesë për të ndalur krimet serbe. Do të ishte për të ardhur keq nëse tani Perëndimi do të lejonte Kosovën të shndërrohej nga një rajon ku serbët përndiqnin shqiptarët, në një mikroshtet ku shqiptarët të përndjekin serbët.

XS
SM
MD
LG