Lidhje

Zbulohet një relike e Luftës Civile Amerikane


Me fundosjen e anijes Republic në vitin 1965 u fundos edhe një thesar i madh. Avullorja amerikane u godit nga uragani në brigjet e Atlantikut dhe u fundos në brigjet e shtetit Georgia me një ngarkesë ari dhe argjendi. Tani ekipet e shpëtimit kanë zbuluar mbetjet e anijes dhe ngarkesën e çmuar, e cila sot ka një vlerë prej miliona dollarësh.

Në tetor të vitit 1865, diku në brigjet e Georgias, avullorja amerikane Republic u përfshirë nga dallgët e shkaktuara nga një uragan në det. Pasagjerët dhe ekuipazhi u përpoqën me mundim ta shpëtojnë, por kur u prish edhe motori, fati i anijes u vulos. Pasagjerët e saj ishin nisur me ëndrra për një jetë të re pas Luftës Civile amerikane.

Por përveç pasagjerëve dhe ëndrrave të tyre, anija mbart edhe një mall tjetër shumë të çmuar. Anija është e ngarkuar me ar- shumë të nevojshëm për Jugun e shkatërruar nga Lufta. Avullorja Republik po lundronte nga New Jorku për në New Orlins. Sipas kapitenit të anijes, në bord kishte monedha që në atë kohë kishin një vlerë prej 400 mijë dollarësh, të cilat sot janë të barasvlefshme me një shumë prej 200 milionë dollarësh. Përveç arit ngarkesa e anijes mund të fshehë në vete një thesar edhe më të çmuar: momente historike që flasin për kohët e turbulluara që pasuan Luftën Civile Amerikane, para se të fillonte rindërtimi i Jugut.

Shumë nga pasagjerët arritën të shpëtonin nga anija e pashpresë, por plaçkat e tyre, së bashku me arin përfunduan afro 500 metra nën nivelin e detit. Tani një ekip i specializuar dhe i pajisur me mjete të fjalës së fundit të teknologjisë po përpiqet të gjejë ku ka përfunduar anija Republik dhe ngarkesa e saj.

Ekipi vazhdon kërkimet prej një dekade. Greg Stem është bashkë-themelues i kompanisë Odyssey Marine Exploration:

“Avullorja Republik u fundos në vitin 1865 me një sasi të madhe monedhash ari në bord. Kjo anije ka një ndër historitë më interesante krahasuar me projekte të tjera që kemi ndeshur,” thotë zoti Stem.

Ekspedia përdor një mjet të telekomanduar të quajtur Zeus. Kamerat e Zeusit do të përdoren për të fotografuar pamje nga vendi ku ka rënë anija në fund të detit. Pasi organizohen të gjitha fotografitë dhe krijohet një mozaik që përfaqëson tabanin e detit ku ndodhet anija, ekipi mund të fillojë kërkimet për arin e fundosur.

Neil Cunningham Dobson është kryearkeologu i projektit. Ai kryeson ekipin që po drejton operacionet që kryen pajisja Zeus nën ujë. Gjatë fotografimit të vendit ku ndodhet anija janë zbuluar edhe objekte me vlerë, por u deshën muaj të tërë para se të zbuloheshin monedhat:

“Isha në dhomën e kontrollit duke ndjekur monitorët. Të gjithë mbetëm të shtangur, nuk besonim se po shihnim një monedhë ari,” thotë zoti Dobson.

Nga fundi i detit u nxorën 28 copa ari dhe 47 monedha ari. “Nuk mendoj se do ta harroj ndonjëherë natën kur gjetën arin. U tregoj fëmijëve dhe njerëzve të tjerë për atë natë, dhe të gjithë shohin me dyshim,” thotë Erni Tapanes, specialist kërkimesh për projektin.

Gregu dhe partneri i tij John Morris shkojnë në anije për të parë për herë të parë arin. Për Gregun ky moment përbën plotësimin e një ëndrre:

“Ka njerëz në botë që kanë kaluar gjithë jetën duke kërkuar për të gjetur një thesar të tillë dhe nuk kanë arritur kurrë sukses. Por ne ia dolëm.”

Pasi të pastrohen, edhe monedha më e vogël e gjetur do të ketë një vlerë prej së paku 1 mijë dollarësh. Ndërsa monedhat më të vlefshme kanë një vlerë prej afro gjysmë milion dollarësh secila. Me kalimin e muajve, ekipi Odyssey ka nxjerrë vetëm një të katërtën e thesarit. Por Gregu nuk ka humbur shpresën se pjesët e anijes që ende nuk janë eksploruar mund të fshehin pjesën tjetër të monedhave.

Anija Republik është bërë simbol për aventurierët dhe ëndërrimtarët. Por mbi të gjitha ajo është relike e një kohe të trazuar, kur vendi po dilte nga Lufta Civile dhe e shpresave që po lindnin me vendosjen e paqes.

XS
SM
MD
LG