Lidhje

Presidenti Bush dhe presidenti rus Putin angazhohen për bashkëpunim


Gjatë takimit të tyre në Bratislavë të Sllovakisë, presidenti George W. Bush dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin u zotuan të shtojnë bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta në një numër fushash, përfshirë sigurimin bërthamor dhe antiterrorizmin.

Dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të siguruar zbatimin e plotë të rezolutës 1440 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo rezolutë kërkon që vendet anëtare të OKB-së të marin masa për të mos lejuar grupet terroriste të zotërojnë armë të shkatërrimit në masë ose elementë përbërës të këtyre armëve.

Presidenti Bush dhe zoti Putin ranë dakord të krijojnë një grup amerikano-rus për bashkëpunim në çështjet e sigurimit bërthamor, përfshirë asgjësimin e materialeve bërthamore që nuk nevojiten më për qëllime mbrojtëse. Presidenti Bush tha se që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Washington, presidenti Putin ka treguar se i kupton fare qartë rreziqet që sjell terrorizmi ndërkombëtar si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Rusinë.

“Çdo herë që ne takohemi, ne zhvillojmë një sesion interesant dhe konstruktiv për strategjinë, për mënyrat se si të vazhdojmë të mbrojmë popujt tanë nga sulme të ndryshme. Zoti Putin është përballur me disa sulme serioze në vendin e tij. Duke u nisur nga pozitat e një udhëheqësi, unë e di fare mirë se ç’do të thotë kjo. Unë e njoh fare mirë tensionin, agoninë dhe trishtimin që shkaktojnë këto gjëra. Unë e njoh emocionin që ke kur shikon njerëz të pafajshëm që humbasin jetën dhe ne kemi folur për këtë. Shpresoj që në të ardhmen të mos na duhet të flasim përsëri për këto gjëra,” tha presidenti Bush.

Presidenti Bush tha se pati një dialog shumë të rëndësishëm dhe konstruktiv me zotin Putin në Bratislavë, takim që sipas presidentit Bush solli shumë rezultate pozitive.

XS
SM
MD
LG