Lidhje

Ambasadorë evropianë në SHBA thonë se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet


Statusi i tanishëm i Kosovës duhet të kapërcehet, tha në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, ambasadori gjerman në Uashington, Wolfgang Ischinger, pavarësisht se sa do të zgjatin bisedimet që pritet të zhvillohen këtë vit për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar. Ndërkohë ambasadori francez në Shtetet e Bashkura, Jean-David Levitte i tha Zërit të Amerikës se Ballkani nuk është ashtu siç karakterizohet nga disa, si një rajon gjithnjë problematik.

Zoti Ischinger tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë pak a shumë të njëjtën bindje se është e domosdoshme që statusi i Kosovës të diskutohet për t’u hapur perspektivën si shqiptarëve ashtu edhe sërbëve që jetojnë atje, por edhe qeverisë sërbe në Beograd. Ai tha se para pak kohësh kishte qënë për vizitë në Kosovë dhe kishte konstatuar se shqiptarët po e humbasin durimin me situaten e tanishme.

“Ata duan gjithnjë e më tepër të marrin në dorë të ardhmen e tyre. Mendoj se ata kanë të drejtë. Dhe është pikërisht ajo që ne duhet të diskutojmë”.

Ndërkaq, duke folur per situatën ne Ballkan, Ambasadori gjerman në Shtetet e Bashkuara, Wolfgang Ischinger, tha se gjatë dekadës së fundit Ballkani ka qënë rajoni më i vështirë i Evropës. Ai thotë se për arsye historike dhe arsye të tjera Ballkani ka qënë rajoni më pak i qendrueshëm me problemet më të mëdha teritoriale, etnike e kështu me radhë.

Shumë ekspertë të çështjeve ballkanike, siç është edhe vetë zoti Ischinger, janë të mendimit se prania e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e problemve të mbetura pezull të Ballkanit, siç është edhe çështja e Kosovës, nuk mund të zgjidhen pa mbështetjen e fuqishme dhe praninë e Shteteve të Bashkuara.

“Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një strategji të përbashkët se si t’i trajtojmë situatat emergjente që mund të krijohen në këtë rajon. Në qoftë se në Ballkan lindin probleme që kërkojnë përdorimin e forcës ushtarake, ne gjithmonë do të kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara. Kjo është e vërtetë sot dhe mbetet e vërtetë edhe për një të ardhme të afërt”.

Pavarësisht nga çfarë do të rezultojë nga bisedimet që do të zhvillohen pranverën apo verën e këtij viti, tha ambasadori Ischinger, statusi i tanishëm i Kosovës duhet kapërcyer patjetër.

Edhe ambasadori francez në Shtetet e Bashkura, Jean-David Levitte i tha Zërit të Amerikës se Ballkani nuk është ashtu siç karakterizohet nga disa, si një rajon gjithnjë problematik.

“Ballkani nuk është 'vrimë e zezë' e Evropës. U zhvillua një luftë me të vërtetë e përgjakshme në Bosnje në vitet 1990 dhe në saje të nismave evropiane, të cilave iu bashkua edhe Amerika, i dhamë fund luftës në Bosnje. Pastej erdhi lufta e Kosovës. Sot, është e rëndësishme të kujtohet se kemi punuar së bashku për t’u dhënë fund këtyre luftrave dhe rindërtuar Bosnjen, për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit. Ne jemi atje bashkë sot. Trupat tona - franceze, evropiane dhe amerikane - qendrojnë krah për krah dhe ne do të qendrojmë atje derisa jo vetëm të gjendet një zgjidhje paqesore, por edhe të zbatohet. Është e qartë se e ardhmja e të gjithë shteteve, dikur pjesë e Jugosllavisë, është në familjen e Bashkimit Evropian”.

Vështirësitë në rajonin e Ballkanit janë të shumta, tha ambasadori francez në Uashington, por ne jemi të vendosur t’i kapërcejmë këto vështirësi dhe të ndihmojmë njerëzit në këtë rajon që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë në paqe e demokraci.

XS
SM
MD
LG