Lidhje

Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit mbi Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Drogave


Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij vjetor mbi Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Drogave. Sipas tij, trafikimi i drogave përbën një shqetësim të madh për shumë vende të botës, ose si pika tranziti ose si qendra të zhvillimit të veprimtarive, që lidhen me drogat. Në të identifikohen disa vende evropiane si qendra të rëndësishme për pastrimin e parave, përfshirë Francën, Gjermaninë, Rusinë, Ukrainën, Italinë, Spanjën dhe Britaninë. Departamenti i Shtetit përmend edhe Gjermaninë e Holandën si burime të rëndësishme të lëndëve kryesore kimike që përdorën për prodhimin e drogës. Në raport thuhet se Shqipëria është një pikë kryesore kalimi për heroinën nga Afganistani dhe Turqia për në tregjet evropiane.

Në raport thuhet se qeveria e Shqipërisë, kryesisht në përgjigje të presionit të komunitetit ndërkombëtar dhe me ndihmën e tij, po përballet me elemtët kriminalë në mënyrë më agresive, por puna e saj dëmtohet nga mungesa e burimeve dhe korrupsioni në masë. Grupe të krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë se pikë kalimi për shkak të pozitës strategjike të vendit, kufijve të pambrojtur dhe sistemeve të saj të dobëta gjyqësore e policore. Drogat ilegale që transportohen më shumë janë heroina, mariuana dhe më pak kokaina.

Në raport thuhet se heroina transportohet kryesisht në Itali, Greqi dhe Holandë nëpërmjet të të ashuquajturës Rruga Ballkan që fillon nga Turqia dhe kalon nëpër Bullgari, Maqedoni e Shqipëri. Kokaina kontrabandohet nga Amerika Jugore nëpërmjet Shteteve të Bashkuara, Italisë, Spanjës, Greqisë ose Holandës dhe pastaj kalohet në Shqipëri për t’u shpërndarë nëpër Evropën Perëndimore. Mariuana prodhohet në vend për tregjet e Evropës. Ka prova se hashashi i cilisisë së lartë i prodhuar në Shqipëri shkëmbehet me heroinë në Turqi.

Drogat sintetike, veçanërisht ekstëzi, përbëjnë një problem në rritje. Abuzimi i drogave përbën një problem tjetër në rritje në Shqipëri, por ende mbetet në një shkallë të ulët në krahasim me Evropën Perëndimore. Statistikat ende nuk janë të verifikueshme për sa i përket trafikimit të drogave ose përdorimit të tyre, ndërkohë që publiku në përgjithësi nuk është në dijeni të problemeve që sjellin drogat. Burimet kryesore të fitimeve kriminale janë krimet që lidhen me drogat, vjedhjet, shkeljet e rregullave doganore, shfrytëzimi i prostitucionit, trafikimi i armëve dhe i automjeteve si dhe vjedhja nëpërmjet abuzimit të detyrës.

Edhe krimet që lidhen me taksat, mashtrimi dhe falsifikimi i parasë ndodhin shpesh. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë të operacioneve për veprimtari kriminale në vende të tjera, duke dërguar përsëri në Shqipëri shuma të mëdha parash të fituara në mënyrë të paligjshme. Të ardhurat nga këto veprimtari pastrohen me lehtësi në Shqipëri për shkak të kontrollit të dobët qeveritar. Pastrimi i parave mendohet se bëhet nëpërmjet parave që qarkullojnë në pasurinë e patundshme dhe në projekte të zhvillimit të biznesit.

Kontrollet e doganave për sa i përket transaksioneve të mëdha në kesh nuk janë të efektshme për shkak të burimeve të nevojshme dhe korrupsionit tek zyrtarët e doganave. Ekonomia e Shqipërisë zhvillohet kryesisht me para në dorë. Rreth 80 përqind e të gjitha veprimtarive bankara kryhen me para në dorë, duke e bërë të vështirë për policinë që të zhvillojë hetime rreth pastrimit të parave. Transaksionet elektronike janë të pakta, megjithatë po rriten me shpejtësi, ndërsa më shumë banka vënë në dispozicion një teknologji të tillë.

Sipas Bankës Qëndrore të Shqipërisë, 26 përqind e qarkullimit të parave zhvillohet jashtë sistemit bankar, në krahasim me një mesatare prej 10 përqind në ekonomitë e tjera në kalim të vendeve të Evropës lindore dhe qëndrore. Deri vitin e kaluar, qeveria e Shqipërisë i paguante punonjësit e saj me para në dorë, por një numër institucionesh në rritje po përdorin sistemin elektronik të pagesave. Madje të gjitha institucioneve të qeverisë qëndrore tani u kërkohet që deri në fund të këtij viti të kalojnë në sistemet elektronike të pagesave.

Në përfundim të raportit thuhet se programe të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë ta ndihmojnë qeverinë e Shqipërisë në përpjekjet e saj kundër trafikimit të drogave nëpërmjet ndihmës së integruar dhe të bashkërenduar për kontrollin e kufijve. Në të thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta inkurajojnë qeverinë e Shqipërisë që të bëjë përparim në çështjen e trafikimit të drogave, të përdorë në mënyrë efikase forcat e rendit dhe të mbështesë reformat ligjore. Me gjithë përpjekjet e qeverisë shqiptare, trafikimi i drogave përbën për Shqipërinë një shqetësim të madh dhe kjo për shkak të mungesës së burimeve dhe korrupsionit.

XS
SM
MD
LG