Lidhje

Presidenti Bush shpreh shqetësimin lidhur me gjendjen e demokracisë në Rusi


Gjatë takimit të tij të nivelit të lartë me presidentin rus Vladimir Putin në Bratislavë të Sllovakisë, Presidenti Bush shprehu shqetësimin lidhur me gjendjen e demokracisë në Rusi. Zoti Bush tha se Rusia ka bërë shumë përparim që pas rënies së komunizmit para 14 vjetësh. Por ai shtoi se i kishte thënë zotit Putin se Rusia duhet të respektojë parimet universale të demokracisë.

“Është në interesin e vendit tim që Rusia të jetë një partnere e fortë dhe e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Është shumë e rëndësishme që ne të vendosim jo vetëm marrëdhënie pune, por që të kuptojmë që në shekullin e 21-të, vendet e forta ndërtohen duke zhvilluar demokraci të forta. Kështu ne folëm për demokracinë. Unë e di që demokracitë reflektojnë gjithmonë zakonet dhe kulturën e një vendi. Megjithatë demokracitë kanë disa gjëra të përbashkëta: kanë një shtet ligjor dhe masa për mbrojtjen e pakicave, një shtyp të lirë dhe një opozitë politike funksionale”.

Qeveria ruse ka hapur çështje gjyqësore kundër kompanisë së naftës Yukos dhe drejtuesve të disa kompanive për evazion fiskal dhe krime të tjera. Ish-drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Yukos, Mikhail Khodorkovsky dhe dy drejtues të tjerë të lartë të kësaj kompanie prej një viti e gjysmë ose më shumë ndodhen në burg. Vëzhgues të pavarur dhe Departamenti amerikan i Shtetit kanë shprehur shqetësimin se akuzat janë të motivuara politikisht.

Sipas Departamentit të Shtetit, presioni nga ana e qeverisë ruse ka kufizuar lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e disa mediave, veçanërisht disa rrjeteve kryesore televizive kombëtare dhe organeve rajonale të mediave. Ministria ruse e mediave mbylli stacionin e fundit të pavarur televiziv, TVS në vitin 2003, duke e zëvendësuar me një kanal sportiv shtetëror. Presidenti Putin nga ana e tij thotë se Rusia ka bërë një zgjedhje të pakthyeshme në favor të demokracisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. “Çdo lloj hapi prapa drejt totalitarizmit për Rusinë do të ishte i pamundur”, tha ai.

Presidenti Bush tha se deklarata e zotit Putin se Rusia nuk do të kthehet mbrapsht në rrugën drejt demokracisë, ishte deklarata më e rëndësishme e bërë në takimin e nivelit të lartë në Bratislavë. Presidenti Bush e bëri gjithashtu të qartë se nuk do të tërhiqet nga kjo çështje, megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Rusia vazhdojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme. “Janë demokracia dhe liria, tha Presidenti Bush “që sjellin siguri dhe begati të vërtetë në çdo vend”.

XS
SM
MD
LG