Lidhje

Bruton: Kushtetuta e re evropiane nuk do te imponojë një politikë të jashtme të përbashkët


Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë në dorë të ardhmen e kushtetutës së re të miratuar vitin e kaluar e cila do të hyjë në fuqi vetëm nëse ratifikohet nga secili anëtar brenda një afati 2 vjeçar. Sipas ambasadorit të Bashkimit Evropian në Uashington, John Bruton, kushtetuta e re do të rrisë efektivitetin e institucioneve dhe do të demokratizojë procesin e vendim-marrjes. Kolegia Rudina Dervishi ndoqi prezantimin e Ambasadorit John Bruton në qendrën Wilson këtu në Washington ku ai parashtroi risitë që sjell kushtetuta e re.

Sipas ambasadorit John Bruton, kushtetuta e re do ta thjeshtojë funksionimin e institucioneve demokratike të Bashkimit Evropian, për t’u dhënë më shumë zë qytetarëve evropianë në procesin e vendim-marrjes. Ndryshe nga praktika e deritanishme, tha ambasadori Bruton, çdo projekt-ligj para se të dërgohet për t'u shqyrtuar në këshillin e ministrave do të dërgohet për tu miratuar në parlamentet e secilit prej 25 vendeve anëtare dhe një votim kundër do të bënte që ligji të mos miratohet.

Kushtetuta e re zëvendëson një numër traktatesh të nënshkruara midis vendeve anëtare por jo kushtetutën e secilit vend. Përveç dispozitave kushtetuese të secilit vend për të drejtat e njeriut, kushtetuta e re paraqet për herë të parë një kartë të të drejtave themelore të qytetarëve evropianë.

Një dispozitë e re kushtetuese që garanton demokracinë sipas ambasadori Bruton është ajo e përjashtimit të një vendi nga blloku në se shkel vlerat themelore të Bashkimit Evropian që janë dinjiteti njerëzor, demokracian, barazia, rendi, dhe respektimi i të drejtave të njeriut. "Kjo dispozitë e kushtetutës që lejon përjashtimin e çdo anëtari që nuk respekton këto vlera themelore është një garantues i fortë i mbrojtjes së demokracisë në Evropë dhe një arsye shumë e drejtë për të përkrahur kushtetutën", tha ambasadori Bruton.

Në se ratifikohet kushtetuta e re do t’i japë Bashkimit Evropian një president me një mandat gati tre vjeçar dhe për herë të parë një Ministër të Jashtëm, që do ta përfaqësojë Bashkimin Evropian në mbarë botën.

Sipas ambasadorit Bruton, Bashkimi Evropian nuk do të imponojë një politikë të jashtme të përbashkët për të gjitha vendet anëtare, por në se flitet me një zë të vetëm mund të arrihet më shumë. "Evropa do të ketë një politikë të jashtme në se vendet anëtare do të duan një të tillë. Në se nuk duan nuk do ta kenë, pasi kjo është një praktikë vullnetare. Një politikë e jashme e përbashkët nuk do të imponohet mbi askënd. Në se francezët apo britanikët duan të kenë një politikë të jashtme ndryshe nga pjesa tjetër e Bashkimit Evropian, kjo është më se e mundur. Por ata nuk do të jenë të gjendje të arrijnë sa duhet. Kur Evropa flet me një zë të vetëm, mund ti zgjidhë problemet më mirë", tha ambasadori.

Gjermania dhe Italia kanë thënë se do të ratifikojnë kushtetutën e re përmes votës parlamentare, por disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të organizojnë referendume për kushtetutën, duke e vënë në pikëpyetje ratifikimin e saj brenda nëntorit të vitit 2006.

XS
SM
MD
LG