Lidhje

Përkujtohet 7 vjetori i fillimit të luftës në Kosovë


Udhëheqës të lartë ndërkombëtarë e vendor, thanë sonte se Kosova po hynë në një periudhë të rëndësishme të ndërtimit të ardhëmrisë së saj dhe shërimit të plagëve të së kaluarës. Ata i bënë këto komente në një Akademi Solemne në Prishtinë, që u organizua në kuadër të manifestimeve nën emrin “Epopeja e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës”.

Me keto përkujtohen ngjarjet e përgjakshme të fillimit të muajit mars të vitit 1998, kur rreth 50 anëtarë të familjes Jasharaj nga fshati Prekaz i Kosovës qendrore, u vranë në përleshje me forcat serbe. Në këtë përleshje u vra edhe Adem Jashari, që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen-Petersen, i cili është kryeadministratori i parë që merr pjesë në shënimin e përvjetorëve të tillë, tha se askush, pavarësisht nga prejardhja, besimi apo interesa të tjera nuk mund të ndjejë asgjë tjetër, vecse dhembje për shkatërrimet dhe vuajtjet që kanë ndodhur në Prekaz, shtatë vjet më parë. Pikëllimi i atyre ditëve jeton edhe sot në Kosovë, jo vetëm për ata që vdiqën, por edhe ata që u zhdukën dhe fati I të cilëve nuk dihet, tha ai. “E kujtojmë të kaluarën por njëkohësisht ecim përpara. Kosova tash me hapa të sigurtë po i lë prapa pasojat e së kaluarës dhe po bëhet një vend në të cilën asnjë qytetar, kurrë më nuk do të frikësohet nga vdekja e dhunshme apo shpronësimi për shkak të bindjeve të tij, përkatësisë etnike apo fetare. Një Kosovë në të cilën nuk do të lihet gurë pa lëvizur derisa të zbardhet fati I të pagjeturëve, ashtu që të mund të shërohen plagët e së kaluarës dhe t’i hapen dyert së ardhmes. Cfarë ka ndodhur ndërmjet 5 e 7 masrit të vitit 1998 në Prekaz nuk guxon t’I ndodhë askujt më në Kosovë”, tha zoti Jessen-Petersen. “Përulem para vuajtjeve të familjes Jasharaj” tha zoti Jessen-Petersen duke nënvizuar se vendosmëria e tij për të punuar për një Kosovë të lirë, të qëndrueshme e shumetnike është më e fuqishme se kurrë.

Kryeminstri Ramush Haradinaj tha se Kosova ka hyrë në fazën përfundimtare të ndërtimit të pavarësisë dhe sovranitetit, por në të njëtën kohë përballet me vështirësi që po e ngarkojnë në vazhdimësi. Ai bëri thirrje për punë të përbashkët për ndërtimin e ardhmërisë së Kosovës dhe të mos lejohet asgjë që ta pengojë këtë rrugë. “Synimi ynë final për një Kosovë sovrane dhe demokratike, të zhvilluar ekonomikisht, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, mund të arrihet duke qenë të vendosur, duke respektuar punën e njëri tjetrit dhe duke mbështetur njëri tjetrin drejt synimit tonë të përbashkët. Kështu veproi Adem Jashari dhe kjo është porosia e tij dhe atyre që ranë pëpër liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Ngjarjet e shtatë vjetëve më parë, shënuan fillimin e luftës gati dy vjecare në Kosovë së cilës iu dha fund me fushatën 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe dhe me hyrjen e forcave paqëruajtëse në qershor të vitit 1999.

XS
SM
MD
LG