Lidhje

Ç’po ndodh me demografinë e botës?


Shumica e vendeve të pasura dhe të zhvilluara në botë po përballen me një krizë të plakjes - ritmet e lindjeve në këto vende kanë pësuar rënie të papara. Megjithatë, ka një përjashtim. Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara janë më në gjendje se pothuajse çdo vend tjetër i zhvilluar për ta përballuar këtë krizë dhe kjo në sajë të nivelit të lartë të lindjeve dhe imigracionit.

Jolene Ivey gjithnjë ka ëndërruar të ketë një familje të madhe. Tani, ëndrra e Jolenës po bëhet realitet. Ajo dhe burri i saj Glenn jetojnë në shtetin Maryland dhe kanë 5 djem, nga 5 deri në 15 vjeç. "Unë kam vetëm një vëlla dhe më dukej se do të ishte kënaqësi të kisha një familje të madhe. Lexoj edhe në libra se sa mirë është kur janë shumë vëllezër dhe motra së bashku në një familje" , thotë zonja Ivey.

Familjet amerikane si kjo po ndihmojnë në rritjen e ritmit të lindjeve më shumë se sa pothuajse në çdo vend tjetër të zhvilluar të botës. Sektori i Popullatës pranë Kombeve të Bashkuara thotë se në botë përgjithësisht nivelet e lindjeve kanë rënë mjaft qysh nga vitet '70.

Por Shtetet e Bashkuara janë thuajse të vetmet në botën e zhvilluar që e kanë sfiduar këtë prirje demografike. Bill Frey, demograf pranë institutit kërkimor Brookings në Uashington, thotë se Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend i madh i zhvilluar ku popullata njeh rritje. "Popullata e Shteteve të Bashkuara do të rritet ndoshta me 100 milion njerëz të tjerë gjatë 50 viteve të ardhëshme. Dhe arësyeja kryesore është niveli i lartë i lindjeve, më i lartë se sa në shumë vende të tjera të zhvilluara."

Kombet e Bashkuara thonë se amerikanët i kanë ruajtur ritmet e lindjeve mesatarisht në nivelin mbi dy fëmijë për grua, niveli i duhur për ta mbajtur popullatën të qendrueshme. Në vitet 70, ritmet e lindjeve në Amerikë ranë, ndërkohë që gratë filluan të hyjnë me shumicë në forcën e punës. Por nga fundi i viteve 80, niveli i lindjeve filloi të rritet përsëri, ndërkohë që në Evropë ai shënoi kuota të reja të ulta.

Zoti Frey thotë se ëndrra amerikane për të patur dy ose më shumë fëmijë ka mundësi të jetë ndihmuar nga fakti që popullata filloi të zhvendosej me shumicë drejt zonave nënurbane. Në vitin 2000, më shumë se gjysma e amerikanëve jetonin në zona të tilla, ku sipas zotit Frey, infrastruktura e favorizon jetën familjare. "Jo të gjithë njerëzit kanë familje, dhe nuk mund të kenë të gjithë. Por nëse jeton në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ke familje, nuk ke fëmijë, kjo i bën shumë njerëz të ndihen paksa të veçuar nga shoqëria"

Një arësye tjetër e rritjes së popullatës amerikane, thotë zoti Frey, është imigracioni. Në vitet 90, Shtetet e Bashkuara pranuan legalisht rreth 11 milion imigrantë dhe pritet që nivelet e imigracionitg të qendrojnë të larta. Të ardhurit kanë ritme më të larta lindjeje se sa ata që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara.

Richard Jackson, në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë se gjatë disa dekadave të ardhëshme popullata amerikane do të vijë duke u rinuar në krahasim me Evropën dhe Japoninë. "Amerika është në fakt mjaft e përgatitur për të përballuar plakjen e popullatës. Ajo ka popullatën më të re në botën e zhvilluar. Dhe, në sajë të ritmeve të larta të lindjeve si dhe të imigracionit, ne do të kemi popullatën më të re edhe 20 apo 30 vjet më vonë" , thote zoti Jackson.

Megjithatë, disa njerëz thonë se amerikanët nuk duhet të jenë dhe aq optimistë për të ardhmen e tyre demografike. Phil Longman, demograf pranë institutit kërkimor Fondacioni i Amerikës së Re në Uashington, thotë: "Pika më e dobët e Amerikës është kostoja e lartë e shërbimit shëndetësor, e cila është shumë më e lartë. Pa përmirësimet e duhura të shëndetit publik, amerikanët do të jetojnë më pak dhe do të preken më tepër nga invaliditeti se sa njerëzit në vendet që shpenzojnë 50 përqind më shumë në këtë aspekt."

Ndërkohë që amerikanët bëjnë plane për të ardhmen e tyre, prindër si Jolene Ivey shpresojnë se fëmijët e tyre do të mbështesin njëri-tjetrin kur të rriten. "Kur burri im dhe unë të plakemi, ata do të kenë njëri-tjetrin, do të këshillohen me njëri-tjetrin dhe do të kujtojnë këshillat e mija dhe kjo do të jetë mirë për ta" , thote ajo.

Kjo do të jetë mirë edhe për të ardhmen e Amerikës, për të cilën shumica e demografëve thonë se do të jetë në një pozitë më të shëndoshë se shumica e vendeve të tjera të zhvilluara.

XS
SM
MD
LG