Lidhje

Sulmet e kryengritësve shkaktojnë 25 viktima në Irak


Në Irak, një seri sulmesh të kryengritësve shkaktuan vdekjen e rreth 25 vetëve, ndërkohë që zyrtarët amerikanë u angazhuan për hetime të plotë lidhur me vrasjet aksidentale në Irak.

Një vetvrasës në veri të Bagdatit la të vrarë të paktën 15 persona dhe më shumë se 20 të plagosur. Në qytetin Bakuba aty pranë, kryengritësit sulmuan ushtarët dhe policët irakianë duke vrarë të paktën 10 persona.

Po sot, zyrtarët irakianë publikuan fotografi të reja të terroristit të kërkuar jordanez Abu Musab al Zarqawi i cili duket me flokë të qethur dhe mjekër të shkurtuar. Grupi i tij ka marë përgjegjësinë për disa nga sulmet vetvrasës të ditës së sotme.

Përfaqësues të fraksioneve kryesore politike shi’ite dhe kurde, po zhvillojnë bisedime për formimin e qeverisë së re.

Sipas njoftimeve, fraksioni shi’it kërkon mbështetjen e partisë kurde për një qeveri koalicioni. Si pjesë e marrëveshjes pritet të jetë edhe pretendimi kurd për rajonet veriore të Irakut të pasura me naftë. Hollësitë nuk janë të qarta.

Shumica myslimane shi’ite kërkon të vendosë Ibrahim al-Jaafarin si kryeminsitër. Kurdët kërkojnë që një rol kryesor në qeveri t’i jepet udhëheqësit të tyre Jalal Talabani. Meqë asnjë prej këtyre partive nuk ka dy-të-tretat në parlament, ligjvenësit duhet të formojnë një koalicion për të miratuar qeverinë e re.

Zyrtarët thonë se edhe në se në bisedime nuk arrihet ndonjë marrëveshje, parlamenti do të mblidhet më 16 mars, me rastin e 17 vjetorit të sulmit famëkeq me lëndë kimike të Sadam Huseinit në qytetin kurd Halabja.

XS
SM
MD
LG