Lidhje

Zyrtarët mohojnë spekulimet e mediave lidhur me aktpadi të mundshme ndaj R. Haradinajt


Zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i quajtën sot spekullime njoftimet e dhëna në media për mundësinë e akuzimit të kryeministrit Ramush Haradinaj nga gjykata ndërkombëtare e Hagës.

Zëdhënësi i qeverisë Arben Qirezi, i tha Zërit të Amerikës, se kryeministri nuk ka marrë asnjë sinjal për këtë. "Në adresën e kryeministrit Haradinaj nuk ka ardhur kurrfarë sinjali në lidhje me këtë". Zoti Qirezi shtoi se kryeministri është i bindur se nuk ka cështje gjyqësore kundër tij. "Kryeministri Haradinaj dhe të gjithë ne besojmë, jemi të bindur se nuk ka rast kundër tij. Ai e ka thënë edhe më herët se do ti kryejë detyrimet e tij si qytetar dhe si kryeministër i Kosovës dhe do të bashkëpunojë me drejtësinë".

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partia e kryeministrit Haradinaj, po kështu i hodhi poshtë shkrimet në media, duke i quajtur spekullime që kanë si burim Beogradin.

Zëdhënësi i kësaj partie, Ernest Luma, i tha Zërit të Amerikës, se kjo është një fushatë mediale dhe progogandistike që ka filluar që nga koha kur zoti Haradinaj u bë kryeministër i Kosovës. "Kjo fushatë mediale dhe propogandistike ka pasur si qëllim ngritjen e tensioneve në Kosovë dhe natyrisht përmbysjen e të gjitha përpjekjeve të përbashkëta të faktorit ndërkombëtar dhe vendor dhe të vetë gadishmërisë së zotit Haradinaj për të cuar përpara proceset në Kosovë. Edhe spekullimet e fundit, ne si parti politike i konsiderojmë si vazhdë e kësaj fushate për denigrimin e përpjekjeve të përbashkëta dhe të vetë personalitetit të zotit Haradinaj, natyrisht edhe për komprometimin e postit të kryeministrit rolit të kryeministrit në proceset në vijim në Kosovë. E dimë përkushtimin e kryeministrit të Kosovës për tu angazhuar ashtu si dje për lirinë e popullit të vet, edhe sot për lirinë e të gjithëve në Kosovë për sigurinë e të gjithëve në Kosovë, për mirëqënien e të gjithëve në Kosovë. Këto përpjekje janë në disfavor të synimeve që kanë qarqe destruktive dhe synimeve destabilizuese të tyre".

Kryeministri Haradinaj është intervistuar nga gjykata e Hagës në lidhje me zhvillime të kohës së luftës në Kosovë. Zoti Haradinaj ka thënë se ai do të respektojë drejtësinë ndërkohë që ka theksuar se qeveria e tij është e angazhuar për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës.

XS
SM
MD
LG