Lidhje

E ardhmja e makinave me hidrogjen


Çmimet e naftës janë rritur në maksimum. Për këtë arsye vëmendja është përqendruar tek gjetja e burimeve alternative të energjisë. Një nga mundësitë është hidrogjeni. Prodhuesit e makinave, kompanitë e energjisë dhe qeveria amerikane po investojnë miliarda dollarë tek një e ardhme automjetesh me hidrogjen. Kompania Shell ka hapur stacionin e parë të furnizimit me hidrogjen në Amerikën Veriore.

Hidrogjeni është një alternativë tërheqëse karburanti në raport me benzinën: mund të prodhohet nga pothuajse gjithçka dhe nxjerr vetëm ujë. Zëdhënësi i Shoqatës Kombëtare të Hidrogjenit, Patrick Serfass thotë se ka tri arsye që nxisin kalimin tek ekonomia me hidrogjen. “Pakësimi i varësisë tek importi i karburantit, ruajtja e mjedisit dhe rritja ekonomike”, thote zoti Serfass.

Shelli ka filluar të ndërtojë një autostradë për makinat me hidrogjen në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara. Rick Scott është menaxher në stacionin e Shellit me hidrogjen. Hidrogjeni i lëngët mbahet në temperaturën nën 97 gradë celsius, para se të nxehet. Pikat eksperimentale të furnizimit u shërbejnë 6 makinave që punojnë me hidrogjen të prodhuara nga General Motors. Këto automjete kanë kryesisht synimin t’i tërheqin publikun dhe hartuesit e politikave duke i bërë të interesuar për mundësitë që ofron hidrogjeni.

Por teknologjia e makinave me hidrogjen është ende në hapat e para. Eric Raskes, inxhinier i GM-it, iu deshën 10 minuta për ta furnizuar makinën e tij.“Kjo teknologji ka ekzistuar prej mbi 100 vjetësh, u vu në praktikë vetëm para 60 vjetësh, por vitet e fundit është zhvilluar vërtet me shpejtësi”, thotë zoti Raskes.

Presidenti Bush është angazhuar të caktojë mbi një miliardë dollarë për studime mbi furnizimin me hidrogjen. Por do të duhet edhe miliarda dollarë të tjerë dhe prodhuesit e makinave dhe kompanitë e naftës kanë bërë investime të jashtëzakonshme në këtë drejtim.

Një nga pengesat kryesore është shpërndarja, pasi duhet të krijohet një rrjet i tërë furnizimi. “Nuk duhet të prodhosh hidrogjen nga një qendër, si me benzinën dhe ta shpërndash me kamion në gjithë vendin. Mund ta prodhosh në sasi të vogla edhe në garazhin tënd, ose në ndërtesën e zyrës tënde po deshe, kështuqë mund të prodhosh hidrogjen për shembull vetëm për lagjen tënde”, thotë zoti Serfass.

Disa klientë kanë filluar të interesohen per makinat. General Motors do që të ketë një seri makinash deri në vitin 2010. Hidrogjeni kushton dy dollarë për kilogram, që prodhon të njëjtën energji sa 3,78 litra. Nje makine demonstrimi kushton rreth 1 milionë dollarë, por ndërsa prodhimi i makinave të shtohet, çmimi do të bjerë. Ka shumë sfida para se makinat me hidrogjen të bëhen realitet në treg, por disa janë të bindur se e ardhmja u takon pikërisht këtyre makinave.

XS
SM
MD
LG