Lidhje

Reagime për akuzat e Hagës ndaj Ramush Haradinajt


Eliot Engel, anëtar demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve tha se aktpadia është vetëm një akuzë dhe jo provë e fajit. Mendoj, tha ai, se mënyra me të cilën u soll zoti Haradinaj duke u dorëzuar vetë në Gjykatën e Hagës është për tu lavdëruar dhe si në çdo gjykim të drejtë atij duhet ti jepet rasti që të tregojë se është i pafajshëm. Zoti Engel tha se dhuna do të ishte e tmerrshme. Bota po i vëzhgon me kujdes shqiptarët e Kosovës dhe qendrimi që do të mbajnë ata tani do të jetë shumë i rëndësishëm për të vendosur për statusin e ardhshëm. Populli i Kosovës, tha zoti Engel, duhet të ketë rastin të vendosë për të ardhmen e tij. Kur ta ketë këtë rast, nuk kam asnjë dyshim se e ardhmja e tij do të jetë një Kosovë plotësisht e lirë dhe e pavarur. Dhuna në këto momente, tha zoti Engel, vetëm sa mund ta dëmtojë këtë aspiratë dhe ne duhet ta lemë drejtësinë të thotë fjalën e saj.

Martin Sletzinger, analist i çështjeve të Evropës Jug-Lindore pranë Qendrës Studimore Woodrow Wilson në Uashington mendon se ngritja e akt-padisë ndaj zotit Haradinaj në këto momente ishte veprim i papërshtatshëm që, sipas tij, do të minojë elementët reformatorë dhe gjasat për negociata lidhur me statusin e Kosovës. Analisti Sletzinger thotë se akt-padija ndaj zotit Haradinaj i ka zgjuar reagime kontradiktore. Nga njëra anë ai e shikon këtë masë si një tregues pozitiv që Gjykata e Hagës po ngre padi edhe ndaj shtetasve të tjerë përveç serbëve dhe kroatëve. Por nga ana tjetër, ai shton se momenti është shumë i papërshtatshëm për një veprim të tillë: "Për mendimin tim çështja kryesore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është statusi i ardhshëm i Kosovës, marrëdhëniet e saj në të ardhmen me Serbinë dhe me Bashkimin Evropian. Pritet që këtë vit të fillojnë negociatat. Ky është procesi themelor, dhe jo bashkëpunimi me Hagën. Unë shqetësohem se akt-padija mund të minojë negociata të mundshme lidhur me statusin e Kosovës, ashtu siç ka minuar elementët reformistë në Serbi dhe Kroaci", thotë analisti.

Zoti Sletzinger thotë se gjendja është e paqendrueshme dhe ky proces do të pengojë edhe më tepër prirjet për kompromis ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Serbët do të ndjehen të shpaguar nga akt-padija ndaj Haradinajt dhe do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë fakt për synimet e tyre. Ndërkaq procesi gjyqësor ndaj zotit Haradinaj do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe shqiptarët e Kosovës do të fillojnë të identifikojnë veten gjithnjë e më shumë me qëndrimin e tij, ashtu siç ndodhi në rastin e serbëve ne Millosheviçin. Ndërkaq analisti Sletzinger vlerëson proceset pozitive që zoti Haradinaj kishte vënë në lëvizje që pas ardhjes në post. sletcinger Ramush Haradinaj, thotë analisti, i përkiste një brezi më të ri që dinte të vepronte si në procesin e ndërtimit të institucioneve të reja, ashtu edhe në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar. Ngritja e akt-padisë do ta ngadalësojë procesin, pasi elementë të tjerë në Kosovë mund të fillojnë të ndjehen nën hijen e dyshimit. E gjithë kjo do të ngurtësojë përpjekjet e këtyre elementëve për t’u angazhuar në procesin qeverisës në Kosovë. Sletzinger thotë se megjithë nervozizmin dhe reagimin e fortë që pritet nga Prishtina dhe mbarë shoqëria kosovare lidhur me këtë akt-padi, ai nuk mendon se situata do të precipitojë në trazira. Ngjarjet e marsit 2004 nuk ishin krejt spontane, thotë ai, dhe UNMIK-u është tashmë i përgatitur për të mos lejuar një shpërthim tjetër të kësaj natyre.

XS
SM
MD
LG