Lidhje

Hagë: Haradinaj përballë 37 akuzave


Gjykata e Hagës shpalli të enjten zyrtarisht akuzat kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy personave të tjerë, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

Sipas gjykatës, padia ndaj Ramush Haradinajt përmban 37 akuza për krime kundër njerëzimit, ku përfshihen përndekje, deportime, burgime, vrasje dhe përdhunime, si dhe 20 akuza për shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, ku përfshihen trajtimi mizor, vrasja dhe përdhunimi.

Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj akuzohen për krime kundër njerëzimit ose shkelje të ligjeve të luftës të kryera gjatë periudhës midis 1 marsit dhe 30 shtatorit 1998, në kohën kur midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe zhvilloheshin luftime. Viktimat, thuhet në aktpadinë e Gjykatës, ishin ose civilë serbë ose persona që UÇK-ja mendonte se refuzonin të bashkëpunonin me të apo që i rezistonin asaj me mjete jo ushtarake. Të tre personat në fjalë, thuhet në aktpadi, janë përgjegjës në mënyrë individuale për krimet për të cilat akuzohen dhe kanë marrë pjesë në mënyrë të vetëdijshme në kryerjen e tyre. Në aktpadi thuhet se si komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj kishte vendosur një sistem në të cilin individë të ndryshëm viheshin në shënjestër për rrëmbim, keqtrajtim dhe vrasje dhe në të cilin ndërmerrej një sulm sistematik ndaj pjesëve të ekspozuara të popullsisë civile. Në aktpadi thuhet se Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në rrëmbimin e personave të cilët më vonë janë gjetur të vrarë dhe se në, të paktën, një rast, ai ka dhënë miratimin e heshtur për ekzekutimin e personave të ndaluar. Në aktpadinë prej 20 faqesh, përshkruhen me hollësi dhe një nga një akuzat ndaj të tre personave.

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u dorëzua në gjykatën e Hagës për t’u përballur me akuzat.

Zoti Haradinaj mbërriti të mërkurën në Hollandë, rreth 24 orë pasi dha dorëheqjen nga posti i tij. Ai shkoi në Hagë i shoqëruar nga, Lahi Brahimaj, një tjetër ish udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili iu dorëzua gjykatës. Sipas njoftimeve të agjencisë franceze të lajmeve, edhe Idriz Balaj i është dorëzuar gjykatës.

Gjykata ka zhvilluar hetime për rolin e zotit Haradinaj si udhëheqës i UÇK-së gjatë konfliktit në Kosovë me forcat serbe në fund të viteve 1990. Autoritetet serbe e akuzojnë atë për krime kundër serbëve.

Zoti Haradinaj thotë se veprimet e tij ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG