Lidhje

Liban: Ish-kryeministri pro-sirian zgjidhet të formojë qeverinë e re


Burime politike në Liban thonë se ish-Kryeministri pro-sirian i Libanit, Omar Karumi, që dha dorëheqjen kohët e fundit, u zgjodh të formojë qeverinë e re.

Presidenti pro-sirian, Emile Lahud, pritet ta emërojë zotin Karumi nesër në postin e Kryeministrit që ai la javën e kaluar.

Qeveria e zotit Karumi u shpërnda më 28 shkurt, nën presionin e fortë të ligjvënësve të opozitës, të cilët e kanë akuzuar qeverinë e Bejrutit dhe aleatët e saj sirianë për vrasjen e ish Kryeministrit libanez, Rafik Harir. Si Damasku ashtu edhe Bejruti i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Ligjvënësit e opozitës që u takuan me Presidentin Lahud sot nuk emëruan ndonjë person që të udhëhiqte qeverinë, por paraqitën një listë kërkesash.

Ndërkaq, trupat siriane po vazhdojnë largimin nga zonat bregdetare e qëndrore të Libanit për në afërsi të kufirit me Sirinë.

Siria filloi tërheqjen dje nën trysninë e madhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe disa qeverive arabe.

XS
SM
MD
LG