Lidhje

Gjenerali Wesley Clark komenton për dorëheqjen e R. Haradinajt


Gjenerali në pension Wesley Clark, ish komandant suprem i Natos dhe ish kandidat demokrat për president përshëndeti veprimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për t’u dorëzuar në Gjykatën e Hagës. Zoti Clark tha se procesi që çon drejt pavarësisë është mënyra më e mirë për të ndërtuar mes të gjithë njerëzve të Kosovës një lloj përgjegjësie dhe respekti për njëri tjetrin.

Zëri i Amerikës: Gjeneral, tani pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe dorëzimit të tij në Hagë, cili mendoni se mund të jetë ndikimi që kjo mund të ketë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës?

Wesley Clark: Mendoj se ai ka vepruar drejt duke dhenë dorëheqjen mengjithëse unë nuk i di hollësitë e akuzave kundër tij dhe sa të justifikuara janë ato. Por megjithatë pasi këto akuza janë ngritur, ai bëri mirë që po i drejtohet Hagës për t’ju përgjigjur akuzave. Një njeri me një post aq të lartë ka njëfarë përgjegjësie që të veprojë në atë mënyrë.

Zëri i Amerikës: Shumë njerëz në Kosovë e shikojnë këtë aktpadi si një sulm kundër luftës për Çlirim në Kosovë dhe thonë se këto akuza në fakt vijnë nga Beogradi. Cili është komenti juaj?

Wesley Clark: Unë nuk i kam hollësit e akt-akuzës kundër tij, por e di se çështjet politike të cilat mbizotëronin gjatë viteve 90-të ende nuk janë zgjidhur. Unë jam përkrahës i fuqishem i idesë që Kombet e Bashkuara të veprojnë për të krijuar një proces që çon në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës e këtë duhet ta bëjë menjëherë.

Zëri i Amerikës: Pikëpamjet tuaja janë të njohura: njohja e pavarësisë së Kosovës dhe ju i keni bërë thirrje administratës amerikane të ndërmarrë një hap të fuqishëm për të zgjidhur statusin e Kosovës. A mendoni se administrata e Presidentit Bush është e gatshme ta bëjë këtë?

Wesley Clark:Unë ende nuk kam parë ndonjë provë se kjo adminisitratë e ka marrë këtë çështje me seriozitet por shpresoj se ajo do ta marrë në shqyrtim shumë shpejt këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Ju mendoni se Kosovës duhet t’i jepet pavarësia për shkak të frikës rreth një lufte të re në Ballkan apo sepse ajo e meriton atë?

Wesley Clark: Në asnjë rast unë nuk e shikoj në atë mënyrë. Mendoj se procesi që çon drejt pavarsisë së Kosovës është i justifikueshem sepse ai është mënyra më e mirë për të ndërtuar mes të gjithë popujve të Kosovës një lloj përgjegjësie dhe respekti për njëri tjetrin. Në Kosovë ka mbetur shumë punë për t’u bërë, niveli i papunësisë është i lartë, Kosova ka nevojë urgjente për investime të huaja dhe vendet e tjera po ngurrojnë të marrin pjesë ekonomikisht me kapacitet të plotë sepse atje mungon zgjidhja politike. Për zhvillimin ekonomik aq të nevojshem dhe për një stabilitet të plotë ekonomik në rajon, duhet më parë të merren disa vendime politike duke filuar nga kryeqytet e Evropës perëndimore e deri tek Washingtoni. Mendoj gjithashtu se për fillimin e procesit që do të çonte drejt zgjidhjes së stassit të Kosovës duhet të marrin pjesë si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, por edhe Kombet e Bashkuara. Unë nuk mund të them se sa mund të zgjasë ky proces. Kjo është një gjë për të cilen duhet të bisedohet gjatë vetë këtij procesi.

XS
SM
MD
LG