Lidhje

Rupel: Kosova, sfida më e rëndësishme për sigurimin në Evropë


Komisioni amerikan i Helsinkit zhvilloi dje një seancë diskutimesh për sfidat që ka përballë Organziata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë gjatë këtëj viti. Kryetari i radhës së OSBE-së, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, u bëri një përshkrim të përgjithshëm problemeve që ndeshin vendet e ndryshme të Evropës, ndër të cilat ai i vuri theksin edhe çështjes së Kosovës si një nga më të rëndësishmet për sigurimin në Evropë.

Ky është një vit i rëndësishëm për Kosovën, ku Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, ka një rol të madh, tha dje në Kongresin amerikan kryetari radhës së OSBE-së, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel.

“Kohët e fundit vizitova Prishtinën dhe Beogradin ku theksova angazhimin e OSBE-së për një zgjidhje paqësore dhe të qendrueshme të çështjes së Kosovës në një mënyrë që do të siguronte një qeveri përfaqësuese dhe mbrojtjen e nxitjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të të drejtave të individëve që u përkasin pakicave kombëtare”.

Zoti Rupel tha se në trajtimin e çështjes së Kosovës duhet patur parasysh edhe aspekti socio-ekonomik. Niveli i papunësisë, veçanërisht mes të rinjve është mbi 50 përqind. Ky është një faktor i rezikshëm, duke patur parasysh pasigurinë politike dhe mosbesimin ndëretnik, tha kryetari i OSBE-së. Mbetet edhe shumë punë për t’u bërë, tha më tej zoti Rupel, duke përfshirë edhe disa vendime të vështira nga komuniteti ndërkombëtar, nga vendet e rajonit dhe mbi të gjitha nga i gjithë populli i Kosovës.

“Komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë edhe OSBE-në, duhet të jetë i angazhuar dhe të avancojë me shqyrtimin e përgjithshëm të standardeve me qëllim që të zgjidhë një nga çështjet më kritike të sigurimit në Evropë ”.

Zoti Rupel tha se në përgjithësi zhvillimet në Evropën Juglindore po shkojnë në drejtimin e duhur. Angazhimi i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe Pakti i Stabilitetit, mes të tjerash kanë luajtur rol me rëndësi për stabilizimin e gjendjes në Bosnje-Hercegovinë dhe në Maqedoni. Por rrënjët e demokracisë në rajon, tha zoti Rupel janë ende delikate, dhe kanë nevojë për mbështetje edhe më tej.

Kryetari i Komisionit amerikan të Helsinkit, Senatori Sam Brownback dhe bashkëkryetari i këtij komisoni, kongresmeni Chris Smith, theksuan gjithashtu edhe rëndësinë e rolit të OSBE-së Kosovë dhe veçanërisht për zbatimin e standardee që i janë vënë asaj nga komuniteti ndërkombëtar. “Unë mbështes zbatimin e standardeve në Kosovë pavarësisht nga statusi i saj. Ne duhet të shikojmë më shumë përparim në këtë proces, lidhur me lirinë e lëvizjes dhe mundësinë e bashkëpunimit mes komuniteteve të ndryshme etnike”, tha zoti Smith.

Lidhur me vendimin e ish Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinej për të shkuar në Hagë, në përgjigje të aktpadisë së ngritur kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi, zoti Rupel i tha Zërit të Amerikës se ky është një qendrim shembullor dhe shprehu shpresën se shqiptarët e Kosovës do të veprojnë me të njetën maturi lidhur me këtë zhvillim:

“Kam besim se miqtë e mi kosovarë do ta kuptojnë se zbatimi i standardeve dhe raporti për zbatimin e standardeve do të përfshijë edhe qendrimin ndaj kësaj ngjarjeje në veçanti. Shpresj që kjo ngjarje nuk do ta dëmtojë përparimin e bërë në Kosovë. Shpresoj që pasardhësi i zotit Haradianj do të vazhdojë punën e tij të mirë gjatë një mandati tepër të shkurtër. Ajo që unë nuk do ta harroj kurrë është se zoti Haradinaj e kuptonte qartë rëndësinë e pjesëmarrjes së sërbëve në jetën politike të Kosovës”.

Kryetari i radhës së Organizatës për Sigurimin dhe Bashëpunimin në Evropë, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, i bëri thirrje komunitet shqiptar të Kosovës të ruajë qetësinë dhe të mos ndërmarrë ndonjë veprim që do ta acaronte situatën në një kohë që është shumë e rëndësishme për Kosovën.

XS
SM
MD
LG