Lidhje

Surroi: Kosova i jep një leksion Ballkanit


Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, si do ta vlerësonit gjendjen në Kosovë pas aktakuzës kundër zotit Haradinaj dhe dorëzimit të tij në Hagë?

Veton Surroi: Gjesti i zotit Haradinaj ishte jo vetëm një ruajtje e dinjitetit të tij personal ashtu siç ka bërë me vite të tëra por ishte edhe ruajtje e dinjitetit të Kosovës. Më duket se të gjithë aktorët politikë në Kosovë u sollën me përgjegjësi, jo vetëm në politikë por edhe shoqëria civile dhe mediat u sollën me një përgjegjësi të jashtëzakonshme duke e kuptuar momentin dhe më duket se Kosova i jep një leksion Ballkanit në tërësi në mënyrën se si e ndjek çështjen e sundimit të ligjit. Më duket se Kosova me këtë dha një provim të maturisë lidhur me trajtimin e çështjes së sundimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: Cilat mund të jenë pasojat e këtij zhvillimi po të kemi parasysh se Kosova ndodhet para një periudhe shumë të rëndësishme për të ardhmen e saj?

Veton Surroi: Ky ishte një test shumë i rëndë dhe sfidues, të cilin nuk mundën ta kalojnë me vite të tëra Serbia, e cila është përgjegjëse në fakt për luftën në ish Jugosllavi, Kroaci apo Bosnje, pra shtete të cilët në kushte shumë më të mira nuk mund ta kalojnë këtë test. U tregua se në Kosovë ky test mund të kalohet. Tani jemi para një thyerje të re dhe kjo është se si të krijohet një qeverisje dinamike, e cila ta vazhdojë nga njëra anë hovin që i kishte prirë kryeministri Haradinaj e nga ana tjetër të zgjerojë fushën e veprimit e qeverisjes së re.

Zëri i Amerikës: A mendoni se mund të mbijetojë koalicioni qeveritar tani me largimin e zotit Haradinaj nga skena politike?

Veton Surroi: Nuk e besoj. Më duket se zoti Haradinaj vetë, me personalitetin e vet mbulonte në një masë të madhe edhe mangësitë e qeverisjes së tanishme dhe nuk më duket se eksziton një personalitet brenda kësaj strukture që do ta zëvendësonte atë.

Zëri i Amerikës: A nuk mund ta vazhdojë qeverisjen kjo qeveri kur vetë zoti Haradinaj ka propozuar edhe kandidatin që do ta zëvendësonte?

Veton Surroi: Është e qartë, por përgjegjësia tani është bukur e shtrirë. Jemi në një situatë pak më ndryshe dhe nuk më duket se kalibri i deritanishëm mjafton.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të kërkonit ju nga një qeverisje e re në Kosovë?

Veton Surroi: Mendoj se qeverisja e re në Kosovë duhet të vazhdojë me dinamikën e përmbushjes së standardeve. Më duket se zoti Haradinaj i dha një vulë të shkëlqyer dinamikës. Më duket nga ana tjetër se duhet të thellohen posaçërisht disa nga aspektet ekonomike të tjera dhe gradualisht të ndërtohet një konsensus që ka të bëjë me çështjet që pasojnë pas vlerësimit eventual pozitiv të standardeve. Kjo është: zgjerimi i bazës për një ekip negociator, zbërthimi i platformës negociatore e shumë punë të tjera që mbeten për të bërë.

Zëri i Amerikës: Besoni ju në përmbushjen e afateve të përcaktuara për standardet dhe fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. A mund të ndodhë kjo shpejt?

Veton Surroi: Unë mendoj se ekziston një disponim pozitiv në shoqërinë tonë, tek të gjitha partitë politike, qoftë në pushtet apo opozitë, për të vazhduar, intensifikuar dhe zgjeruar këtë punë dhe unë mendoj se Kosova, me tejkalimin e këtyre sfidave duket se vetëm se e shpejton dhe e afron çështjen e vlerësimit pozitiv.

XS
SM
MD
LG