Lidhje

Analisti Janush Bugajski sugjeron një koalicion gjithpërfshirës në Kosovë


Pas reagimeve pozitive të marra nga komuniteti ndërkombëtar për dorëzimin vullnetar të ish kryeministrit Haradinaj në Hagë, Kosova ka fituar një kapital politik, thotë Janush Bugajski, drejtor i projektit për Evropën Lindore në qendrën për strategjitë ndërkombëtare. Përballë bisedimeve për statusin e ardhshëm, analisti këshillon se një koalicion gjithpërfshirës i qeverisë së Kosovës do të ishte në favor të Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Pati mjaft reagime pozitive nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me veprimin e zotit Haradinaj për tu dorëzuar vullnetarisht në Hagë. A është e drejtë të thuhet se komunitetin ndërkombëtar është i habitur në kuptimin e mirë të fjalës nga mënyra sesi shqiptarët po e përballojnë këtë siguatë?

Janush Bugajski: Situata u jep udhëheqësve të Kosovës, qeverisë së Prishtinës dhe vetë popullit kosovar një kapital të mirë politik. Mënyra se si Haradinaj u dorëzua vetë në Hagë, dha dorëheqjen dhe bëri thirrje për qetësi, të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për të krijuar një imazh pozitiv për Kosovën. Kjo tregon gjithashtu se qeveria është e vendosur të plotësojë strandardet kryesore ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, bashkëpunimi me Hagën dhe komunitetin ndërkombëtar. Kjo është shumë e rëndësishme për Prishtinën.

Zëri i Amerikës: Sa i rëndësishëm është ky moment në vendimet që do të merren për statusin e ardhshëm të Kosovës?

Janush Bugajski: Situata e krijuar ndihmon në çështjen për t’i dhënë shtytje një lloj rezolute këtë verë për të vlerësuar ato standarte që janë apo nuk janë përmbushur por edhe për të parë më me realizëm se cilat standarde mund të plotësohen. Gjithashtu kjo situatë e vë udhëheqjen e Prishtinës në një pozicion të fuqishëm dhe i shton barrën Beogradit për të dorëzuar kriminelët e luftës që e dimë se fshihen në territorin serb, veçanërisht Ratko Mlladiçi. Pra i vendos një trysni politike Beogradit për të vepruar dhe nëse Beogradi nuk vepron, atëherë forcohen edhe më shumë pozitat e shqiptarëve për të thënë se ne po bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtar ndërsa Beogradi nuk po e bën një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Ç’mendoni se do të ndodhë me qeverisjen në Kosovë? Tani me largimin e zotit Haradinaj, a ka ardhur koha për të ndërtuar një koalicion më gjithëpërfshirës?

Janush Bugajski: Kjo u takon zyrtarëve ta zgjidhin. Mendimi im është se përpara bisedimeve që do të çojnë në statusin përfundimtar duhet të ndërtohet një koalicion më i gjerë pasi është e nevojshme të ketë një unitet politik simbolik ashtu sikurse edhe një unitet praktik për të dalë përpara komunitetit ndërkombëtar në bisedimet për statusin përfundimtar. Pra një koalicion më i gjërë do të ishte në favor të Prishtinës. Kjo nuk do të thotë se nuk ka nevojë për opozitë, përkundrazi. Kur të fillojnë bisedimet për statusin do të ketë një numër çështjesh që do të kundërshtohen nga parti të ndryshme politike por shumë qeveri në kohë të vështira përpiqen të ndërtojnë një koalicion sa më të gjerë. Është e rëndësishme të vazhdohet programi i nisur nga zoti Haradinaj dhe kjo do të tregojë se pavarësisht se kush është në fuqi, institucionet e Kosovës mund të përmbushin standartet si përshirja e pakicave, zbatimi i ligjit e të tjera si këto. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të vazhdohet puna e nisur.

Zëri i Amerikës: Si analist i njohur i çështjeve të Ballkanit, më lejoni t’ju pyes se cilat janë sfidat më të rëndësishme me të cilat do të përballet Kosova deri në verën e këtij viti?

Janush Bugajski: Së pari është e rëndësishme të ruhet qendrueshmëria sociale, për të mos u përfshirë në asnjë lloj dhune apo shkatërrimesh pasi kjo do të reflektonte shumë negativisht në bisedimet politike. Sfida e dytë do të ishte formimi i një qeverie që do të ishte e efekshme, me një kryeministër që do të vazhdonte të ndiqte rrugën e nisur nga Haradinaj. Së treti vazhdimi i përpjekjeve për të përfshirë udhëheqësit e pakicës serbe në programet e qeverisë dhe së katërti të jenëtë përgatitur mirë për t’u paraqitur para komunitetit ndërkombëtar në verë kur të bëhet vlerësimi i standardeve, për të qënë të hapur dhe të ndershëm për ato pika të standardeve që janë përmbushur dhe për të tjerat që nuk kanë mundur të plotësojnë.



XS
SM
MD
LG