Lidhje

Shkelja e të drejtave të njeriut në Birmani


Një raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, përmend në veçanti juntën ushtarake në Birmani për shkeljet e saj në shkallë të gjerë. Gjendja e të drejtave të njeriut në Birmani është keqësuar gjatë vitit të kaluar. Janë bërë shumë arrestime të përkrahësve të demokracisë, përfshirë atë të kryetarit të Lidhjes Kombëtare për Demokraci Shan, Hkun Htun Oo.

Shumë prej tyre po mbahen në vende sekrete pa njoftuar familjet apo pa asistencën e duhur ligjore. Forcat birmaneze të sigurimit vazhdojnë të kryejnë vrasje të jashtëligjshme dhe të përdhunojnë, torturojnë apo të shkelin në mënyra të tjera të drejtat e të burgosurve dhe të të ndaluarve.

Që nga maji i vitit 2003, junta ushtarake birmaneze mban të ndalur Sekretaren e Përgjithshme të Lidhjes Kombëtare për Demorkaci dhe fituesen e çmimit Nobël për Paqen, Aung San Suu Kyi. Në dhjetor të vitit 2004, autoritetet birmaneze vunë kufizime të tjera ndaj saj duke i hequr mjetet dhe personelin e sigurimit, duke urdhëruar personelin e saj të largohet nga kompleksi ku banon, dhe duke i kufizuar vizitat e mjekut.

Që nga viti 1962, Birmania është sunduar nga regjime të njëpasnjëshme ushtarake. Në vitin 1990, Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi më shumë se 80 për qind të vendeve në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë junta nuk pranoi ta respektojë këtë rezultat.

Më 17 shkurt të këtij viti, junta birmaneze thirri kuvendin e saj kombëtar, që synonte t’i bënte të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve 1990. Lidhjes Kombëtare për Demokraci dhe partive të tjera etnike pro demokracisë u është mohuar të thonë fjalën e tyre në këtë proces. Pa pjesëmarrjen e tyre, kuvendi nuk gëzon legjitimitetin për hartimin e një kushtetute që përfaqëson vullnetin e popullit birmanez.

Nënsekretarja amerikane e shtetit, Paula Dobriansky, thotë se Shtetet e Bashkuara janë me Aung San Suu Kyi-në dhe të tjerët në Birmani, të cilëve u mohohen të drejtat bazë.

“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin e Birmanisë në luftën e tij. Ne duhet të nxisim botën të mbajë qendrim të rreptë kundër juntës dhe t’u kujtojmë njerëzve kudo që janë atë që po ndodh në Rangun”.

Duke patur parasysh gjendjen e mjeruar të të drejtave të njeriut në Birmani, është mjaft e qartë se përse Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice e quan këtë vend një nga bastionet tiranike të botës.

XS
SM
MD
LG