Lidhje

Kris Smith: Shkeljet e të drejtave të njeriut mbeten problem shqetësues në botë


Ligjvënësi Kris Smith, Bashkë-kryetar i Komisionit amerikan për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, thotë se demokracia po përparon në të gjithë botën, por megjithatë ende ka shkelje serioze të të drejtave të njeriut, në veçanti në drejtim të pakicave, grave dhe fëmijëve. Ai i bëri thirje komunitetit ndërkombëtar të marrë masa ndëshkimore kundër Bjellorusisë, Kinës, Kubës, Vietnamit dhe vendeve të tjera ku qeveritë kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të shtetasve të tyre. Ligjvënësi Smith i bëri këto komente dje gjatë një diskutimi në Zërin e Amerikës.

Ligjvënësi Kris Smith, republikan nga Nju Xhërsi, thotë se Evropa Lindore, Azia, Afrika dhe Amerika Latine kanë përjetuar përparime të ndjeshme demokratike. Ai përshëndeti fitoren e forcave demokratike në Ukrainë. Zoti Smith u bëri thirje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të ndihmojnë këtë vend për të konsoliduar demokracinë e re. Ligjvënësi republikan paralajmëroi se korrupsioni dhe trafiku njerëzor përfaqësojnë sfida serioze ndaj autoriteteve të reja.

Zoti Smith, një ndër anëtarët më aktivë të Kongresit në mbrojtje të të drejtave të njeriut, u bëri thirje aleatëve evropianë të Shteteve të Bashkuara të punojnë nga afër me Uashingtonin për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të luftuar korrupsionin dhe trafikun njerëzor. Ai kritikoi Kombet e Bashkuara, duke thënë se kjo organizatë ka humbur aftësinë për t’u kërkuar llogari qeverive për politikat e tyre shtypëse.

Ligjvënësi iu përgjigj më pas një pyetje nga televizioni News 24 nga Tirana dhe televizionit Montana nga Mali i Zi lidhur me rolin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në luftën kundër trafikut njerëzor dhe ndikimin që mund të ketë ky problem mbi sigurimin në Shtetet e Bashkuara:

“Raporti mbi trafikun njerëzor nuk i rendit këto vende si shumë problematike, megjithëse gjendja atje po vëzhgohet me kujdes pasi ekzistojnë probleme të mëdha. Shqipëria po ndërmerr masa kundër këtij problemi. Është vërejtur se kur vendet ndeshen me mundësinë e sanksioneve, bëhen më aktivë dhe më agresivë në qëndrimin e tyre kundër problemeve të trafikut,” tha ligjvënësi Smith.

Në shqetësimet e tjera lidhur me të drejtat e njeriut që ngriti ligjvënësi Smith ishte edhe çështja e respektimit të të drejtave të pakicave, një çështje shumë e mprehtë në rajonin e Ballkanit. Ligjvënësi iu përgjigj një pyetjeje nga salla lidhur me gjendjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë dhe masat që duhen marrë për zgjidhjen e këtij problemi ndërkohë që po afron momenti për shqyrtimin e standarteve.

“Më ka shqetësuar thellë mungesa e një qëndrimi serioz kundër sulmeve të ndërmarra ndaj serbëve dhe në veçanti kundër Kishës Ortodokse Serbe. Jam takuar me Kryeposhkopin Artemije disa herë dhe kam ngritur problemin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave edhe në diskutimet me paqeruajtësit amerikanë, në mënyrë që të bëhet më shumë për të mbrojtur manastiret dhe kishat. Më ka impresionuar fakti që Serbia ka mbajtur një qëndrim të rezervuar dhe të përmbajtur në përgjigje të këtyre akteve. Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të siguruar të drejtat e njeriut për serbët, shqiptarët dhe të gjithë popullsinë e Kosovës,” tha zoti Smith.

Ligjvënësi foli gjithashtu me shqetësim lidhur me hapat prapa që ka shënuar procesi demokratik në Rusi.

“Duhet të vazhdojmë një angazhim agresiv me presidentin Putin. Por nuk duhet t’i kursejmë kritikat kur kemi mosmarrëveshje-qoftë lidhur me Çeçeninë apo me çështje të tjera,” tha zoti Smith. Ai lavdëroi presidentin Putin për qëndrimin e tij kundër akteve anti-semite. Por ai kritikoi masat e Kremlinit për të nxjerrë jashtë ligji sektin fetar "Dëshmitarët e Jehovait" dhe shprehu shpresën se ky vendim do të anulohet.

Ligjvënësi tha se Rusia duhet të bëjë më shumë për të luftuar trafikun njerëzor. Autoritetet, tha ai, duhet të tregohen të vëmendshëm në mënyrë që gratë e trafikuara të trajtohen si viktima dhe jo si shkelëse të ligjit.

XS
SM
MD
LG