Lidhje

SHBA: Amendamente të reja në ligjin kundër trafikut njerëzor


Ligjvënësit amerikanë shqyrtuan problemin e trafikut njerëzor për skllavërinë e seksit dhe për punë të detyruar në vende në mbarë botën. Anëtarë të Kongresit organizuan një seancë ku dhanë dëshmitë e tyre viktima të trafikut dhe organizata që përpiqen për të çliruar persona nga rrjetet trafikante.

Çdo vit afro 800 mijë vetë trafikohen përmes kufijve ndërkombëtarë për një industri të jashtëligjshme të kontrolluar nga individë dhe banda kriminale, e cila ka një vlerë prej disa miliarda dollarësh. Kjo shifër do të ishte shumë më e lartë nëse llogariten edhe personat që trafikohen brenda vendeve të tyre, thotë Departamenti i Shtetit. Viktimat e trafikut janë kryesisht gra dhe vajza, por edhe djem të mitur dhe të rinj në mbarë botën, por kryesisht në Azinë jugore, Azinë lindore dhe në Afrikë.

Xhon Miller, drejtor i Zyrës për Mbikqyrjen dhe Luftimin e Trafikut të Personave pranë Departamentit të Shtetit, përshkroi përmasat e problemit në dëshminë e tij para Nënkomisionit për të Drejtat e NJeriut të Dhomës së Përfaqësuesve:

“Kategoritë e skllavërisë që shtrihet në çdo vend të botës nuk njohin përjashtime. Këto shfaqje i shohim edhe në Shtetet e Bashkuara, përfshirë skllavërinë për seks, punën e detyruar në familje të pasura, në fabrika, ferma, si dhe në radhët e grupeve të armatosura. Por ne mendojmë se trafiku për tregëtinë e seksit zë përqindjen më të lartë,” thotë zoti Miller.

Qeveritë në mbarë botën po mbajnë një qëndrim më agresiv ndaj trafikut, ndërsa organizatat joqeveritare i kanë intensifikuar veprimtaritë për gjetjen e viktimave dhe për të ndihmuar për çlirimin e tyre. Ndoshta ligjvënësi më aktiv në përpjekjet kundër trafikut është Chris Smith, i cili thotë se të paktën 24 vende kanë futur në fuqi ligje për të luftuar trafikun, ndërkohë që dhjetëra vende të tjera janë në procesin e miratimit të këtyre ligjeve. Rreth 8 mijë trafikantë janë sjellë para drejtësisë dhe 2 mijë e 800 janë shpallur fajtorë. Por ende ka shumë për të bërë.

Beatris Fernando, me origjinë nga Shri Lanka dhe ish viktimë e trafikut njerëzor, thotë se përveç përpjekjeve për hetimin dhe ndjekjen penale të rrjeteve trafikante, duhen shtuar përpjekjet për informimin e publikut dhe për mbikqyrjen e problemit nga qeveritë e ndryshme:

“Çdo vit Departamenti i Shtetit nxjerr një raport mbi trafikimin ku specifikon fondet që çdo vend shpenzon për përpjekjet anti-trafik. Ne duhet të vërtetojmë nëse fondet përputhen me veprat. Raporti duhet të dokumentojë gjithashtu edhe masat shtypëse që marrin disa qeveri ndaj grupeve kundër skllavërisë, për shembull Mauritania ku qeveria vazhdon ta konsiderojë të jashtëligjshëm grupin SOS-Esclaves,” thotë zonja Fernando.

Personat e tjerë që e morën fjalën theksuan sfidat që paraqet trafiku njerëzor. Linda Smith, presidente e organizatës Shared Hope International, bëri thirje që të intensifikohen përpjekjet për identifikimin e viktimave, demaskimin e individëve dhe rrjeteve trafikante dhe për t’u bërë presion qeverive për të luftuar problemin:

“Në Evropë ka vajza që fshihen në vende të paidentifikuara që të mos i kthejnë në vende ku mund t’i vrasin. Kemi shumë probleme. Ekziston një treg viktimizimi në shumë vende dhe disa prej këtyre vendeve janë miqtë dhe aleatët tanë. Qeveria jonë po ua bën të qartë aleatëve tanë se nuk mund të lejojnë ekzistencën e skllevërve, pasi dy qeveri mike duhet t’ia bëjnë këtë të qartë njëra-tjetrës,” thotë zonja Smith.

Këtë vit ligjvënësi Kris Smith po mbikqyr riautorizimin e ligjit anti-trafik që Kongresi miratoi fillimisht në vitin 2000. Projekt-ligji i ri përfshin amendamente që parashikojnë masa ndëshkimore ndaj amerikanëve, qofshin punonjës qeveritarë apo në radhët e ushtrisë, të cilët angazhohen në trafikim.

Ligje të tjera amerikane që merren drejtpërdrejtë me trafikun përfshijnë Aktin Mbrojtës i cili, ndër të tjera, përqëndrohet në shtetasit amerikanë që angazhohen në shfrytëzim seksual. Kohët e fundit Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin që u kërkon organizatave që ofrojnë ndihmë humanitare jashtë vendit t’i përmbahin një kodi moral kundër shfrytëzimit seksual, ose përndryshe mund të humbin fondet qeveritare të financimit.

XS
SM
MD
LG