Lidhje

Maqedonia bëhet gati për zgjedhjet vendore


Të dielën në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet vendore. Qytetarët e Maqedonisë do të votojnë për prefektët dhe këshilltarët e 84 komunave të vendit dhe për qytetin e Shkupit.

Këto zgjedhje zhvillohen për herë të parë pas konfliktit të vitit 2001 dhe sipas planit të ri të decentralizimit, i cili i jep pushtet më të gjërë komunitetit shqiptar në rreth 25 komuna në veriperendim të Maqedonisë.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Shkup kanë bërë thirrje për qetësi dhe shmangien e incidenteve, sepse sipas tyre, në rast të kundërt, do të pengohej procesi i ntegrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Majkëll Salin bëri thirrje që të gjitha komunitetet të tregojnë kulturë politike gjatë votimit. Një zëdhënës i Departamentit të shtetit amerikan tha sot se beson që qeveria dhe qytetarët e Maqedonisë të angazhohen për të siguruar zgjedhje të rregullta. Rreth 400 vëzhgues ndërkombëtarë, kryesisht të OSBE-së dhe mbi 5 mijë vëzhgues vendorë do të vëzhgojnë procesin e votimit.

Kryeministri Vlado Buckovski tha se qeveria e tij është angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Për partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia për Prosperitetin Demokratik, këto zgjedhje do të jenë një rast për të vënë në provë ndikimin e tyre në zonat shqiptare.

Prefektët e komunave do të zgjidhen sipas modelit të shumicës dhe këshilltarët sipas modelit proporcional. Rezultatet e para jozyrtare të zgjedhjeve do të publikohen nesër në mesnatë, ndërkaq ato zyrtare do të shpallen më 16 mars.

XS
SM
MD
LG