Lidhje

Hashim Thaçi, kryetar i PDK: ka rëndësi të ruhet stabiliteti


Zëri i Amerikës: A i duhet Kosovës nje qeveri e re apo ajo mund te vazhdoje me te vjetren?

Z. Hashim Thaçi: Me rëndësi është fakti që në Kosovë ka stabilitet, situata e sigurisë është e qetë dhe për këtë falenderoj të gjithë qytetarët e Kosovës për pjekurinë dhe mençurinë që treguan, sidomos pas veprimit shumë të urtë, të mençur dhe të dëshmuar kombëtarisht të zotit Haradinaj për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare. Mendoj se mbi të gjitha sot të gjithë duhet të fokusohemi në ruajtjen e stabilitetit, të situatës së sigurisë, të bashkëpunimit me ndërkombëtarët dhe natyrisht në avancimin e procesit të implementimit të standardeve për shpejtimin e zgjidhjes së çështjes së statusit politik.

Zëri i Amerikës: Por ju nuk iu përgjigjët pyetjes nëse i duhet Kosovës një qeveri e re apo ajo mund të vazhdojë me atë qeveri që ka?

Z. Hashim Thaçi: Kosovës dhe qytetarëve të saj mbi të gjitha i nevojitet uniteti qytetar, angazhimi i të gjithëve, në përkushtimin e tyre për zgjidhjen e statusit politik, i nevojitet bashkëpunimi, i nevojitet konsensusi kombëtar për tejkalimin e kësaj gjendjeje për implementimin e standardeve, për hapjen e perspektivës së zhvillimit ekonomik, sepse ky vit është viti vendimtar, viti i vendimit dhe duhet të jetë viti i ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Të bashkuar do të mund t’ja arrijmë.

Zëri i Amerikës: Pra Kosova mund të vazhdojë me qeverinë që ka?

Z. Hashim Thaçi: Kosovës i nevojitet mbi të gjitha konsensusi kombëtar, bashkëpunimi mes spektrit politik. Besoj se do të ketë dialog të brendshëm kosovar dhe është për t’u vlerësuar gjithashtu se për veprime të mëtutjeshme do të kemi edhe rrethana lehtësuse nga komuniteti ndërkombëtar që do të krijojë për lidershipin kosovar për zgjidhje më të drejta, më adekuate dhe më avancuese, që ky lidership të jetë më i përgjegjshëm për të marrë përgjegjësisë që i takojnë në procesin e ardhshëm politik. Partia Demokratike e Kosovës vazhdoj të mendojë se është në interesin e gjithë qytetarëve që secili lider politik dhe parti të ngrihet mbi vetveten duke humbur nga pak nga vetvetja në shërbim të ndërtimit të institucioneve edhe më stabile dhe më efektive dhe natyrisht kjo do të përshpejtonte zgjidhjen e çështjeve që do të kemi përpara.

Zëri i Amerikës: A është e gatshme Kosova të përmbushë standardet sipas dinamikës së parashikuar tani pas gjendjes së re të krijuar në Kosovë?

Z. Hashim Thaçi: Kosova është e aftë t’i implementojë standardet. Disa standarde tashmë janë plotësuar. Këto i takojnë kriterit politik dhe nuk mund të vihen afate të caktuara për këtë apo atë standard. Unë jam optimist se veprimet unifikuese të spektrit politik të Kosovës do të jenë ato që do t’i implementojnë standardet. Ne do ta bindim botën për vlerësim pozitiv dhe se do të hapet perspektiva për zgjidhjen e statusit politik.

Zëri i Amerikës: Kur prisni të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës dhe a janë realiste idetë se shtatori i këtij viti është kohë e përshtatshme?

Z. Hashim Thaçi: Koha e përshtatshme për zgjidhjen e statusit të Kosovës është gjithmonë. Qytetarët janë deklaruar. Bota e njeh dëshirën e qytetarëve të Kosovës. Besoj se ky vullnet i tyre do të njihet edhe prej Grupit të Kontaktit, Këshillit të Sigurimit dhe prej vendeve fqinje.

XS
SM
MD
LG